Tiranë, 5 gusht NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takoi sot në mesditë ambasadorin e Austrisë, Klaus Derkowitsch, me rastin e mbarimit të mandatit diplomatik në vendin tonë.
Ambasadori Derkowitsch, i ka përcjelle urimet e tij më të mira për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit. Kryetarja e Kuvendit i shprehu mirënjohjen e saj për lidhjet historike e miqësore, mbështetjen e vazhdueshme që Austria vazhdon t'i japë Shqipërisë në të gjitha fushat. Lidhur me qëndrimin më të fundit të Ministrit të Jashtëm të Austrisë Spindeleger ajo vlerësoi mbështetjen e vendosur që Austria i jep proceseve integruese të Shqipërisë dhe përpjekjeve për arritjen e standardeve të kërkuara për anëtarësimin e saj në BE. Nga ana e tij, Ambasadori Derkowitsch u shpreh se Austria do të mbetet mbështetëse e palëkundur e proceseve integruese dhe procesit të liberalizimit të vizave të Shqipërisë.
Ai vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë Shqiptare për krijimin e kushteve të favorshme për investitorët austriakë në sektorë strategjikë të ekonomisë  si në energji , banka, sigurime shoqërore e këshillim juridik dhe në mënyrë të veçantë në fushën e edukimit, kulturës dhe turizmit. Duke e përgëzuar për këtë fund karriere të suksesshëm me qëndrimin e tij në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi punën dhe angazhimin e ambasadorit Derkowitsch për konsolidimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve të shkëlqyera politike e ekonomike midis dy vendeve.
k.k/NOA