English

Ambasadori austriak: Do ta mbështesim përherë integrimin tuaj në BE

Tiranë, 6 gusht, NOA - Ambasadori i Austrisë, Klaus Derkovitsch, me rastin e mbarimit të mandatit diplomatik në vendin tonë, deklaroi se vendi i tij do të mbetet një mbështetës i palëkundur i proceseve integruese të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Një pohim të tillë , ai e ka bërë gjatë një takimi me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Nga ana e tij, Derkovitsch, duke i përcjelle urimet e tij më të mira për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit, u shpreh se largohej nga Shqipëria, jo vetëm me një përvojë nga më të mrekullueshmet në karrierën e tij shumëvjecçre, i mikpritur ngrohtësisht nga njerëz dhe politikanë mendjehapur, por edhe si dëshmitar i një ritmi dinamik të ndryshimeve të Shqipërisë me një progres të dukshëm në vitet e fundit. Ndërsa kryetarja e Kuvendit nga ana e saj i shprehu atij mirënjohjen e saj për lidhjet historike e miqësore, mbështetjen e vazhdueshme që Austria vazhdon t'i japë Shqipërisë në të gjitha fushat.

Lidhur me qëndrimin më të fundit të Ministrit të Jashtëm të Austrisë Spindeleger ajo vlerësoi mbështetjen e vendosur që Austria i jep proceseve integruese të Shqipërisë dhe përpjekjeve për arritjen e standarteve të kërkuara për anëtarësimin e saj në BE. Nga ana e tij, Ambasadori Derkovitsch u shpreh se Austria do të mbetet mbështetëse e palëkundur e proceseve integruese dhe procesit të liberalizimit të vizave të Shqipërisë. Ai vlerësoi bashkëpunimin me qeverinë Shqiptare për krijimin e kushteve të favorshme për investitorët austriakë në sektorë strategjikë të ekonomisë si në energji , banka, sigurime shoqërore e këshillim juridik dhe në mënyrë të vecantë në fushën e edukimit , kulturës dhe turizmit. Duke e përgëzuar për këtë fund karriere të suksesshëm me qëndrimin e tij në Shqipëri, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi punën dhe angazhimin e ambasadorit Derkovitsch për konsolidimin dhe zgjerimin e marëdhënieve të shkëlqyera politike e ekonomike midis dy vendeve tona.

n.e/NOA

KOMENTE