English

Analistët: Mbajtja e zgjedhjeve serbe në territorin kosovar, akt i palejueshëm

Prishtinë, 6 gusht, NOA - Organizimi i zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë është një agresion politik dhe juridiko-ligjor mbi këtë vend, prandaj qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të kenë guxim dhe ta pengojnë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve. Kështu deklarojnë analistët për çështje politike në Prishtinë.

Institucionet e Kosovës duhet të shfrytëzojnë çdo mekanizëm ligjor që të bllokojnë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë, të paralajmëruara për 16 gusht. Kështu thonë analistët e çështjeve politike në Prishtinë, të cilët vlerësojnë se mbajtja eventuale e zgjedhjeve serbe në vend do ta zhvleftësonte sovranitetin e tij. Paralajmërimin e autoriteteve serbe se do t'i organizojnë zgjedhjet lokale në Kosovë, analisti Ramush Tahiri e quan qasje të gabuar, duke thënë se këto zgjedhje nuk mund të mbahen në Kosovë, për shkak se, siç thotë ai, nuk mund të funksionojnë dy pushtete brenda një territori. "Serbia përgjithësisht i ka hequr shqiptarët nga trupa zgjedhore dhe nuk mund të mbahen zgjedhje në bazë etnike, sepse nuk krijohen forume nacionale e as të Serbisë, por janë zgjedhje për kuvendet komunale lokale dhe për Parlamentin e Serbisë". "Domethënë, qasja e Serbisë është komplet e gabuar, është një qasje secesioniste ose racore. Është inkursion në territorin e Kosovës dhe gjithashtu është ndarje vetëm në ato mjedise ku konsiderohen se ka interesa serbe. Do të thotë, është një agresion politik dhe juridiko-ligjor mbi Kosovën", shprehet Tahiri. Ndërkaq, analisti Driton Lajçi thotë se qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të reagojnë fuqishëm në të gjitha aspektet, përfshirë edhe ndikimin ndërkombëtar, për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, të organizuara nga Serbia. Kosova duhet të veprojë me të gjithë mekanizmat si shtet sovran, siç veprojnë të gjitha shtetet sovrane në botë dhe nuk ka asnjë arsye që të mos e bëjë këtë. Duhet t'i përdorë mekanizmat që do t'i përdorte vetë Serbia, që të mos lejojë organizimin e zgjedhjeve të një shteti tjetër në shtetin e vet". "Mirëpo, Qeveria e Kosovës dhe liderët e saj duhet të kenë guxim dhe të marrin një vendim, i cili do të pengonte që të kthehet ajo fryma e UNMIK-ut në Kosovë. Në qoftë se Serbia organizon zgjedhje lokale në Kosovë, atëherë situata kthehet prapa. Do të thotë, është rast tejet i rëndësishëm, situatë shumë e ndjeshme dhe qeveria e Kosovës, kësaj radhe, duhet t'i tregojë dhëmbët e vet", deklaron Lajçi. Ndryshe, analisti Tahiri thotë se nuk pret që qeveria e Kosovës mund të sillet para një akti të kryer, për shkak se Kosova i ka mekanizmat që të mos e lejojë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë."Të mos lejojë të vijnë as letrat për këto zgjedhje dhe as vendvotimet. Do të thotë, është e drejtë e institucioneve të Kosovës që përkrahet nga çdokush. Por, ajo që është më e rëndësishme gjithashtu, është se funksionimi i institucioneve të Serbisë nuk lejohet në Kosovë dhe Kosova duhet të ketë qëndrim të qartë". "Për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare mund të jemi pak fleksibilë, mirëpo për zgjedhjet lokale jo, sepse, domethënë, është pushtet i Serbisë në Kosovë. Kjo nuk lejohet me asnjë normë. Përndryshe, kjo është kundër vetë sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës dhe Kosova nuk mund edhe të jetë e pavarur, edhe të ketë komuna të pushtetit serb ose të Serbisë në Kosovë", thotë Tahiri. Analisti Lajçi vlerëson se qeveria e Kosovës duhet të zbatojë politika stimuluese për serbët e Kosovës, në mënyrë që ata të orientohen kah institucionet kosovare. "Qeveria duhet të bashkëpunojë më shumë edhe me partitë politike serbe në Kosovë, të cilat i kanë pranuar institucionet e Kosovës. Qeveria e Kosovës duhet të ketë bashkëpunim më të mirë dhe t'i përkrahë ato, në mënyrë që të rritet përqindja e qytetarëve serbë, të cilët do të besojnë te partitë politike serbe, të cilat i pranojnë institucionet e Kosovës", shprehet Lajçi. Sidoqoftë, autoritetet kosovare kanë ftuar serbët e Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të organizuara nga Serbia, por në ato të Kosovës, të cilat janë paralajmëruar të mbahen më 15 nëntor.

NOA-INA

KOMENTE