Mitrovicë, 6 gusht NOA - Banorët e lagjes "Kroi i Vitakut" në veri të qytetit të ndarë të Mitrovicës, kanë bërë të ditur se nesër (e premte) do t'i nisin punimet për pastrimin e gërmadhave dhe të mbeturinave nga oborret e shtëpive të tyre.
Ata kanë kërkuar nga Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it si dhe KFOR-i që të krijojnë një ambient të sigurt për punë. Musa Haliti, një prej banorëve të kësaj lagje ka deklaruar se para dy ditësh një grup serbësh nuk kishte lejuar punëtorët shqiptarë që të punojnë në atë vend.
Haliti, thotë se me qëllim të krijimit të parakushteve për rindërtimin e shtëpive të tyre të djegura dhe të shkatërruara gjatë luftës në atë vend, ata kanë vendosur që të premten prej orës 08:30 të shkojnë në pronat të tyre për të nisur punët. Sipas tij, për kryerjen e punëve ata do të angazhojnë punëtorët e kompanisë "Iso 999″.
h.i/NOA