Tiranë, 6 gusht NOA - Ministri i Transporteve Sokol Olldashi, ka dalë sot në një konferencë për shqyt ku ka shprehur shqetësimin për mos shpërndarjen e 48 banesave sociale në qytetin e Durrësit.
"Ngre shqetësimin në lidhje me 48 apartamente të ndërtuara nga Enti i Banesave në qytetin e Durrësit për qytetarët e pastrehe, të përfunduara prej dy vjetësh dhe që ende nuk janë shpërndarë.
Janë dy objekte banimi të ndërtuar me fonde të buxhetit të shtetit gjatë viteve 2006-2007, të cilat rezultojnë ende të pa shpërndara nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Durrësit" tha Olldashi.
Sipas tij, Këshilli Bashkiak ka miratuar Sistemin e Pikëzimit dhe Komisionin e Strehimit pranë Bashkisë së Durrësit për ndarjen e 48 apartamenteve.
Që prej kësaj date ky komision duhet të paraqiste pranë Këshillit Bashkiak listën emërore të qytetarëve të pastrehe që kishin aplikuar.
"Deri më sot Bashkia e Durrësit nuk ka paraqitur asgjë në Këshillin Bashkiak duke sjellë që 48 apartamenteve ti rritet kosto për arsye të ruajtjes.
Pavarësisht korrespondencës së vazhdueshme që kemi pasur mes Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministisë së Brendshme, Entit Kombëtar të Banesave dhe Institucionit të Bashkisë së Durrësit, ky i fundit nuk ka marrë asnjë veprim për ndarjen e këtyre e 48 apartamenteve të ndërtura me fondet e buxhetit të shtetit në qytetin e Durrësit pavarësisht se kanë kalur 2 vjet nga përfundimi" tha më tej Olldashi.
Ministri Olldashi paralajmëroi se nëse brenda datës 30 shtatorit institucioni i Bashkisë dhe Këshilli Bashkiak i qytetit të Durrësit nuk do t'i japin zgjidhje këtij problemi ministria, nëpërmjet procedurave që e lejon ligji nr.9232, datë 13.05.2004, do të ndërhyjë nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave për të bërë shpalljen e listës së fituesve dhe shpërndarjen e 48 apartamenteve.
"Kjo është një masë mëse e domosdoshme nga pikëpamja ekonomike dhe sociale, Enti Kombëtar i Banesave nuk ka filluar të vjelë të ardhurat nga investimet dhe 48 familje të qytetit të Durrësit vazhdojnë të rezultojnë të pastreha dhe të mos gëzojnë banesat e tyre" përfundoi Olldashi.
k.k/NOA
Â