Tiranë, 6 gusht NOA - Pasuritë e qeveritarëve por sidomos e kryeministrit ka detyruar Partinë Socialiste të dalë sërish në një deklaratë për shtyp me anë të përfaqësueses së saj Elisa Spiropali për t'i bërë thirrje Berishës të tregojë arsyen pse në Shqipëri pasurohen vetëm djali dhe vajza e tij.
"Reagimet vulgare të pushtetit ndaj ngritjes së zërit tonë për pasurimin marramendës të familjes kryeministrore, janë tregues i nivelit mizerabël ku ka rënë ky pushtet i korruptuar që po degjeneron gjithçka, deri edhe gjuhën e folur në publik!
Akuzat vulgare nuk janë përgjigje. Sali Berisha duhet të përgjigjet si dhe pse ndodhi që fëmijët e tij u pasuruan falë pushtetit të tij dhe pse fëmijët e njerëzve pa pushtet nuk mund të kenë fatin e fëmijëve të tij?" deklaroi Spiropali.
"Sali Berisha duhet të përgjigjet jo të abuzojë me një bashkëmoshataren time që e nxjerr para publikut duke e detyruar të flasë me një shqipe rrugaçërore!
Sali Berisha duhet të më tregojë mua dhe gjeneratës sime pse në Shqipërinë e sunduar prej tij duhet të pasurohen vetëm vajza e djali i tij, ndërsa të tjerët duhet të luftojnë jo për tu bërë të pasur por thjesht për të mbijetuar! Përgjigju o sulltan komunist që noton në këmbë dhe ecën mbi kurrizin e njerëzve!" përfundoi Spiropali.
k.k./NOA