Durrës, 7 gusht NOA - Katër policë të vrarë ky është bilanci që ka sjellë operacioni për kapjen e super të kërkuarit Dritan Dajti.
Masakra ndodhi pak pas mesditës në një lokal në plazhin e Durrësit, kur i kërkuari për vrasje, Dritan Dajti një person i njohur në botën e krimit ka qëlluar mbi policinë gjatë aksionit për kapjen e tij.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit tha për agjencinë e lajmeve NOA se fillimisht u raportua një polic i vdekur dhe tre të tjerë të plagosur në gjendje kritike për jetën nga të shtënat e armëve që Dajti iu drejtua atyre.
Më pas mësohet se policët kanë ndërruar jetë, ndërsa policia ka qëlluar në drejtim të Dajtit duke e lënë të plagosur.
Ky i fundit u transportua në spitalin e Durrësit ku po mbahet në masa të rrepta sigurie.
Sipas policisë policia e Durrësit kishte siguruar informacione për vendndodhjen e Dajtit duke organizuar dhe operacionin për kapjen e tij.
Por sapo kanë bërë të mundur rrethimin për arrestimin e tij, Dajti ka nxjerrë një armë dhe e ka zbrazur në drejtim të policisë.
Dritan Dajti akuzohet për vrasjen e biznesmenit Beqir Beqja e ndodhur më 17 shkurt të vitit 1999 te "Zogu i Zi" në Tiranë, ngjarja për të cilën u arrestua.
Mirëpo gjatë një seance gjyqësore në Tiranë, Dajti realizoi arratisjen më spektakolare të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri.
Qysh prej atëherë ai jetonte i lirë ndërsa ndiqej nga policia.
k.k/NOA