English

Platforma e re alternative e PS, grupi i Blushit niset drejt bazës për ta publikuar

Tiranë, 7 gusht, NOA - Në një kohë kur po afrohet Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste, grupi i kundërshtarëve të kryetarit Edi Rama, po përgatitet të nisë një tur takimesh në bazë për të publikuar atje platformën e re alternative për këtë parti.

Në krye të këtij grupi qëndron përfaqësuesi Ben Blushi, i cili ka publikuar edhe para disa ditësh në një intervistë televizive se është duke përpunuar këtë platformë të re, të cilën tenton t'ua shpjegojë nga afër socialistëve vendorë, të cilët do të jenë në të njëjtën kohë edhe delegatët e kongresit, e si të tillë, ata do të vendosin me votën e tyre gjatë tij edhe për të ardhmen e drejtimit të Partisë Socialiste.

Bëhet e ditur nga burime për NOA-n pranë PS se përfaqësues të grupit "Blushi" janë Ylli Bufi, Saemira Pino, Rrapush Tola, Viktor Doda, Mark Nikolli, Eva Allushi, Anastas Angjeli, Edlira Haxhiymeri etj.

Mësohet se Blushi dhe Bufi janë duke hartuar paketën e ndryshimeve statutore, që do të propozohen në Kongresin e 29 gushtit. Por një nga temat e diskutimit është edhe ajo që ka të bëjë me rikandidimin e Edi Ramës dhe mënyrën se si do të reagohet nëse ai nuk tërhiqet nga kjo rrugë. Një prej opsioneve të hedhura dhe të diskutuara mes grupit të mbështetësve të Blushit është, që në rast se Edi Rama rikandidon për kryetar të PS-së, atëherë dy kandidatët Ben Blushi dhe Arben Malaj të tërhiqen. Kjo për t'i thënë Ramës që po shkel statutin dhe që do ta vazhdojë rrugën që ka nisur i vetëm.

n.e/NOA

KOMENTE