Tiranë, 7 gusht NOA - Policia e Shtetit ka dalë në një konferencë për shtyp tre orë pas masakrës në Durrës, kur gjatë një operacioni për kapjen e super të kërkuarit Dritan Dajti u vranë katër policë një civilë dhe u plagosën gjashtë të tjerë mes tyre dhe vetë i kërkuari.
Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko deklaroi sot detaje lidhur me operacionin që planifikoi policia për kapjen e Dritan Dajtit i kërkuar prej më shumë se gjashtë vjetësh.
"Pas informacioneve të marra për lëvizjet e personit shumë të kërkuar Dritan Dajti, i cili strehohej në një banesë në afërsi të pistës "Iliria" në plazhin e Durrësit, Sektori i Operacioneve Speciale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në moment organizoi shërbime në këtë territor për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e tij" deklaroi sot zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko.
"Rreth orës 13.45 nga shërbimet e vendosura është konstatuar se personi shumë i kërkuar është afruar me një makinë Volksëagen tip-Tuareg me ngjyrë të errët, me targa të huaja CR 535 FR.
Kur makina kishte ndaluar trupa e operacioneve speciale e ngarkuar me këtë detyrë ka bërë rrethimin e mjetit për të mundësuar arrestimin tij" shtoi më tej Branko.
Sipas tij, gjatë ndërhyrjes, i shumëkërkuari Dritan Dajti në mënyrë të menjëhershme ka qëlluar me armë në drejtim të punonjësve të policisë dhe si pasojë kanë mbetur të vrarë katër punonjës policie, është plagosur rëndë i shumëkërkuar Dritan Dajti si dhe ka mbetur i vrarë shtetasi Ledion Mara 23-vjeç lindur në Lushnje, person me precedentë kriminal.
Policia e Shtetit njoftoi se është arrestuar drejtuesi i mjetit me të cilin udhëtonte, Dritan Dajti, Erges Xhaxhi, 22-vjeç, banues në Tiranë.
Sipas policisë veprimet në vendngjarje vazhdojnë, nën drejtimin e një grupi prokuroresh nga Prokuroria e Përgjithshme dhe e Krimeve të Rënda.
k.k/NOA