English

Dyndje emigrantësh në Kakavijë, pala greke punon me gjysmën e sporteleve

Kakavijë, 8 gusht, NOA - Një fluks i madh emigrantësh është regjistruar sot në pikën kufitare të Kakavijës, por edhe atë të Kapshticës, për shkak të mbërritjes së tyre në vendlindje në këtë sezon pushimesh.

Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore, vetëm në pikën e Kakavijës radha e makinave me emigrantë që presin të vijnë në vend ka arritur në 100-150 të tilla që nuk lëvizin dot nga vendi për shkak të ngadalësisë së procesit të futjes së tyre në territorin shqiptar.

Ndërkaq, bëhet e ditur se pala greke po punon në këtë pikë kufitare me 5 sportele, ndërsa ajo shqiptare po punon me 10 aktualisht, për t'u qenë sa më parë në ndihmë qytetarëve.

E njëjta situatë pritet të ndodhe edhe gjatë këtyre ditëve të ardhshme, por edhe në fund të muajit, kur emigrantët do të largohen nga vendi drejt vendit ku ata punojnë dhe jetojnë.

n.e/NOA

KOMENTE