English

Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti ngushëllon familjet e 4 policëve të vrarë

Tiranë, 8 gusht NOA - Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, me anë të një telegrami, ka ngushëlluar familjet e katër policëve të vrarë Xhani, Dizdari, Duçkollari, Feska, si dhe kryeministrin shqiptar Berisha për rënien në krye të detyrës së katër anëtarëve të Policisë së Shtetit.

"Me dhimbje të thellë e pikëllim në zemër e morëm lajmin e trishtueshëm të vrasjes së katër oficerëve të policisë së shtetit shqiptar. Lufta kundër krimit të organizuar dhe funksionimi i shtetit ligjor shpeshherë ka pasur çmim të lartë dhe ka marre haraçin në gjak. Bijtë tuaj, oficerë të policisë, janë humbja e madhe që kanë veshur në zi gjithë popullin shqiptar" shprehej në ngushëllimin e tij Ahmeti.

"Në këto çaste të rënda për Ju familjarë të nderuar dhe Ju, zoti kryeministër, shqiptarët e Maqedonisë janë me Ju, anëtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim e ndjejnë dhe ndajnë dhimbjen me ju.

Duke qenë bashkë në këto momente pikëllimi, më lejoni të nderuar t'ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të përzemërta dhe ju lutemi që të mos jepeni, dhimbjen ta shndërroni në forcë dhe te jeni krenar se Fatosi, Altini, Saimiri dhe Kastrioti edhe në momentin e rënies ishin në anën e të mirës dhe në luftë kundër të keqes, ishin në shërbim të nderit dhe autoritetit të familjeve të tyre, të popullit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duke ju përcjellë solidaritetin e të gjithë anëtareve të BDI-së ju lutem vëllazërisht të bëheni të fortë se të tillë i patët djemtë tuaj dhe vëllezërit tanë njëkohësisht" përfundonte telegramin e ngushëllimit të tij Ahmeti.

k.k/NOA

KOMENTE