English

OKB thirrje: Të ngrihet një komision hetimor për dhunën seksuale ndaj femrave

Uashington, 8 gusht, NOA - Këshilli i Sigurimit duhet të autorizojë ngritjen e një komisioni të pavarur hetimi në një përpjekje për të ndalur dhunën seksuale ndaj grave dhe vajzave, veçanërisht në pjesë të pushtuara nga konflikti në Afrikë.

Thirrja për ngritjen e një komisioni të tillë është bërë nga sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon ndaj Këshillit të Sigurimit, i cili tha para 15 anëtarëve të këtij organizmi se palët në konfliktet e armatosura vazhdojnë pa u ndëshkuar të vënë me qëllim në shënjestër civilët përmes dhunës seksuale.

Ai tha se në disa vende dhuna seksuale vazhdon edhe kur konflikti ka përfunduar.

"Në Burundi, Liberi dhe Sierra Leone, luftimet mund të kenë përfunduar, por dhuna seksuale vazhdon në përmasa shumë serioze", ka thënë më pas ai.

Ndërkaq, Ban i kërkoi Këshillit të Sigurimit që të autorizojë menjëherë ngritjen e një komisioni të pavarur hetimesh. Ky komision do të kishte detyrën të hetonte dhe të raportonte për shkeljen e ligjeve për të drejtat e njeriut në situata ku konflikti vazhdon në Çad, Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudan, ku si rebelët edhe forcat vendase të sigurisë janë akuzuar se kanë dhunuar seksualisht civilët në një shkallë të gjerë.

Grupet e të drejtave të njeriut i kanë kërkuar gjithashtu Sekretarit të Përgjithshëm për të krijuar një post të nivelit të lartë në OKB për gratë dhe konfliktin e armatosur, një mundësi që ai tha se po e merr në konsideratë.

Vitin që kaloi, Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën 1820 sipas së cilës të gjitha palët në konfliktet e armatosura menjëherë duhet t'u japin fund të gjitha akteve të dhunës seksuale kundër civilëve. Rezoluta po ashtu i paralajmëron ata që mund të kryejnë vepra të tilla se përdhunimi dhe forma të tjera dhune seksuale mund të përbëjnë krime lufte ose kundër njerëzimit, gjë që sjell si pasojë dënime të ashpra.

n.e/NOA

Â

KOMENTE