English

Presheva, Bujanoci, Medvegja duan bashkim me Kosovën, presin propozim

Preshevë, 8 gusht, NOA - Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se Presheva, Bujanoci e Medvegja duhet t'i bashkohen Kosovës. Ai mbështetet në vullnetin e shqiptarëve të shprehur në vitin 1992. Pret një telefonatë nga liderët e Kosovës për të biseduar rreth këtij propozimi. LDK pozicionohet kundër shkëmbimit të territoreve. Debati për propozimin e kongresistit Dana Rohrabacher nuk po vdes.

Realizimi i propozimit të kongresistit amerikan Dana Rohrabacher për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte asgjë më shumë se realizim i ëndrrës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës për bashkim me Kosovën. Ka dy javë që politika shqiptare në Preshevë e Bujanoc nuk e lë të vdesë debatin rreth kësaj çështjeje. Liderët në Preshevë e shohin këtë si kohë të përshtatshme për t'i hapur letrat. Në vitin 1992, liderët shqiptarë të Luginës së Preshevës ftuan popullin në një referendum për t'u përcaktuar nëse duan autonomi kulturore, politike e territoriale të këtyre komunave me të drejtë bashkëngjitjeje Kosovës. Rezultati tregoi një "PO" plebishitare. Tani, 17 vjet më vonë, kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa thotë se rezultati i këtij referendumi e obligon çdo politikan shqiptar që të punojë në jetësimin e vullnetit të popullatës. "Bashkimi me Kosovën është synimi thelbësor. Gjithçka që ëndërron në jetë popullata shqiptare në Luginën e Preshevës është ëndrra që t'i bashkohet Republikës së Kosovës", thotë kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa në një intervistë për Express. Ai i bën thirrje institucioneve të Kosovës të mos i bishtnojnë propozimit të ardhur nga kongresisti amerikan. Deri më tani, politika kosovare e ka pritur me kundërshtime dhe rezerva këtë propozim. Presidenti Fatmir Sejdiu ka përjashtuar mundësinë që kjo ide të realizohet duke e quajtur të papranueshëm çdo ndryshim kufijsh. Në këtë frymë, të premten, sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramë Manaj u shpreh se një ide e tillë u shërben "shpresave të rrejshme të opinionit politik serb për rikthim të çështjes së Kosovës në tavolinë bisedimesh". "Hapja eventuale e çështjes së kufijve në këtë pjesë të Ballkanit dhe të Evropës sigurisht se do të krijonte efektin ‘domino', do të rrënonte arritjet, do të trandte stabilitetin. Kështu siç është e njohur, çështja e Kosovës është e mbyllur, dhe me këtë edhe ajo e kufijve", ka thënë Manaj i cili në të njëjtën kohë është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës. Ajo që quhet "Kuti e Pandorës" mund edhe të hapet, por në konceptin e Ragmi Mustafës nuk ekziston termi "luftë". Përmes mjeteve politike, sipas tij, do të bindej edhe bashkësia ndërkombëtare. "Ne do të donim një marrëveshje qenësore e cila do të sillte paqe dhe stabilitet. Nëse merren vesh për këtë Prishtina dhe Beogradi, këtë marrëveshje nuk do ta kundërshtonin as shqiptarët e Kosovës as serbët. Këtë mendoj se do ta mbështeste edhe vetë bashkësia ndërkombëtare", thotë ai. Janë rreth 70 mijë shqiptarë që jetojnë në tri komunat në jug të Serbisë sado që një numër i madh i banorëve janë larguar nga vendbanimet e tyre duke u vendosur në Kosovë, sidomos pas vitit 1999. Vlerësimet e organizatave ndërkombëtare thonë se shqiptarët në jug të Serbisë janë pakica me më së paku të drejta në Evropë. Beogradi, ditëve të fundit, ka kundërshtuar kërkesën politike të subjekteve politike shqiptare për formimin e ‘rajonit' të Luginës së Preshevës, i cili do të përbëhej nga tri komunat me shumicë shqiptare. Që nga dita kur Rohrabacher ka dalë me propozimin e tij, Mustafa thotë të jetë në pritje të një ftese për takim me cilindo lider politik të Kosovës. Deri të premten pasdite ai thotë të mos jetë parë as dëgjuar me asnjë prej tyre. "Nuk kemi pasur asnjë kontakt as zyrtar as jozyrtar. Së paku as bisedë telefonike. Është koha që të ulemi e të bisedojmë. Të mos vonohemi në kohë. Të mos mbesin shqiptarët ata të cilët provojnë t'i zgjidhin problemet me vonesa kohore të konsiderueshme. Në politikë edhe vonesa 24 orësh është shumë", shprehet Mustafa. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e partive politike serbe në Preshevë nuk janë të kënaqur me qëndrimet e partive dhe liderëve shqiptarë të Luginës. "Dëshira e shqiptarëve në Preshevë është të bashkohen me Kosovën", shprehet i bindur Predrag Petrovic, i Partisë Demokratike serbe në Preshevë, ka raportuar të premten radio Deutche Welle. "Kjo është keq për shtetin, nuk guxon ta lejojë këtë", ka thënë Stojadin Ivanovic, kryetar i këshillit lokal të Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe, kryetar i të cilës është radikali Tomislav Nikolic. Ndërkaq, Dusan Janjic, kryetar i Forumit për raporte etnike në Beograd, po ashtu konsideron se rajoni etnik mund të ketë për bazë bashkimin me Kosovën. Ky propozim sipas tij, është kundërpeshë ndaj deklaratave për ndarje të Kosovës. "Mendoj se shqiptarët e jugut të Serbisë po bëjnë përpjekje që me këtë kërkesë, eventualisht, t'i dalin ballë kërkesës serbe për rajon në veri të Kosovës dhe në këtë mënyrë t'u ndihmojnë autoriteteve të Kosovës. Pa marrë parasysh oportunizmin e bashkësisë ndërkombëtare, madje edhe të Beogradit, bashkësia shqiptare e cila jeton në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në thelb, nuk ka pranuar të jetojë në Serbi. Ajo nuk merr pjesë në organet qendrore të pushtetit, ajo nuk e dëshiron këtë", ka thënë Janjic. NOA-INA

KOMENTE