English

Sot Shqipëria në zi, homazhe dhe nderime për katër policët e vrarë në masakrën e djeshme

Tiranë, 8 gusht, NOA - Sot Shqipëria gjendet e gjitha në ditë zie, në shenjë nderimi të katër punonjësve të policisë, të cilët mbetën dje të vrarë gjatë një aksioni për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti.

Falë një udhëzimi të posaçëm të qeverisë, trupat e Fatos Xhanit, Altin Dizdarit, Saimir Duçkollarit dhe Kastriot Feskas do të nderohen sot nga personalitete të larta të kombit, por edhe qytetarë të thjeshtë përmes homazhesh në mjediset e Pallatit të Kongreseve, ndërsa varrimi i tyre do të kryhet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Në fakt, në përputhje me procedurat që parashikon ligji, vetë kryeministri Berisha ka pohuar dje publikisht se këta katër punonjës të policisë do të shpallen Dëshmorë të Atdheut.

Ndërkaq, flamujt në të gjitha institucionet shtetërore do të ulen në gjysmë shtizë në orën 12 në nderim të 4 dëshmorëve të atdheut.

Ndërsa qeveria ka bërë thirrje të ndërpritet çdo veprimtari dhe të mbahet një minutë heshtje.

n.e/NOA

KOMENTE