English

Ambasadorja e Britanisë ngushëllon Nishani për 4 policët e vrarë

Tiranë, 10 gusht NOA - Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani priti sot në një takim Ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë Fiona Mcllëham.

Ambasadorja ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të katër oficerëve të policisë shqiptare e njëherësh vlerësoi edhe nderimin e tyre me titullin "Dëshmorë të Atdheut".

Ndërkohë sipas deklaratës për shtyp lëshuar sot nga Ministria e Brendshme mësohet se Ambasadorja Mcllëham theksoi gjatë takimit se ngjarja e së premtes në Durrës dëshmon vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me të njëjtën forcë luftën kundër krimit të organizuar dhe shtoi se në këtë rrugë dhe në këtë agjendë të forcimit të ligjit e sigurisë në vend, qeveria britanike do të japë gjithnjë mbështetjen e saj.

Ndërsa nga ana e tij ministri i Brendshëm, Bujar Nishani shprehu falënderimet në emër të Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë shqiptare për asistencën e vazhdueshme të qeverisë britanike për Policinë e Shtetit dhe përvojën e ofruar për sundimin dhe respektimin e ligjit.

Ministri i Brendshëm, duke u ndalur tek rënia në detyrë e katër oficerëve të policisë gjatë një aksioni në Durrës më 7 Gusht 2009, u shpreh se oficerët e policisë dëshmuan kurajë, guxim dhe trimëri të jashtëzakonshme, me qëllimin për të kryer detyrën ndaj atdheut e në të njëjtën kohë duke synuar deri në fund respektimin maksimal të ligjit.

Ministri Nishani u shpreh se shembulli i oficerëve të policisë të rënë në detyrë do të jetë frymëzim për luftën e vazhdueshme të strukturave të Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar.

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani ka marrë mesazhe ngushëllimi për rënien në detyrë të katër oficerëve të policisë, nga Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, Ambasadori i Republikës së Italisë Sabba D'Elia dhe Ministri i Brendshëm i Kosovës Zenun Pajaziti.

k.k/NOA

KOMENTE