English

Donin të qëllonin një shpend, plagosën një fshatar që punonte arën

Korçë, 10 gusht, NOA - Forcat e policisë kanë arrestuar në flagrancë 52-vjeçarin Alket Mëhilli, pasi dyshohet se ka plagosur një person, ndërsa tentonte të gjuante një shpend me armën e tij të gjahut.

Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, është hapur edhe një procedim penal për këtë çështje ndaj Lorenc Banit, për veprën penale të "Mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë" parashikuar nga neni 280 i Kodit Penal.

Kjo pasi, në spitalin e Korçës është paraqitur i plagosur me armë gjahu, 52-vjeçari Ali Brahimllari, lindur dhe banues në Melçan të Korçës.

Dyshohet se duke gjuajtur me armë gjahu për shpendë të egër Alket Mëhilli dhe Lorenc Bani, kanë qëlluar Ali Brahimllari, i cili ka dëshmuar se ishte duke punuar në arën e tij me misër, ndërsa është plagosur prej tyre.

Alket Mëhilli ka qëlluar në drejtim të arës me misër pasi ka konstatuar një shpend të egër te quajtur "Shkurtë" dhe si pasojë e gjuajtjes me armë gjahu ka mbetur i plagosur Ali Brahimllari, i cili pas ndërhyrjes kirurgjikale në spitalin e Korçës, aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Ndaj të dyshuarve, rëndojnë akuzat për veprat penale "Plagosje e rëndë nga pakujdesia" dhe "Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë" të parashikuara nga nenet 91 dhe 280 të Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE