English

Dritan Dajti merr masën e sigurisë ‘arrest me burg' nga Krimet e Rënda

Tiranë, 10 gusht, NOA/ Update - Gjykata e Krimeve të Rënda i ka caktuar të shumëkërkuarit Dritan Dajti në seancën e sotme, masën e sigurisë "arrest me burg".

Të tillë e ka marrë pak minuta më parë edhe kunati i tij, Erges Xhaxhi, i cili konsiderohet si bashkëpunëtor në masakrën e së premtes ku mbetën të vrarë 4 oficerë policie, ndërsa është liruar në sallën e gjykatës, i ndaluari elvis Karoli, i dyshuar për lidhje shoqërore me Dajtin.

Pasi ka mbërritur në masa të rrepta mbikëqyrje nga forcat e policisë në mjediset e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Dajti po ashtu edhe është larguar prej tyre për në spitalin Ushtarak, ku edhe ndodhet për kurim mjekësor pasi i është komunikuar masa e sigurisë.

Ai tashmë mbetet në dispozicion të hetimeve dhe në varësi të plotë të mbikëqyrjes policore, derisa të caktohet edhe masa e plotë e ndëshkimit të tij për ngjarjen e rëndë të vrasjes së 4 policëve në plazhin e Durrësit, që ishin në kërkim të tij.

Ndaj Dajtit, përveç kësaj mase, rëndojnë edhe tre dënime të tjera që ka marrë gjatë periudhës që ka qenë në arrati.

Hetimet do të konkludojnë në dënimin e tij ku ai minimal në bazë të Kodit Penal është 20 vjet, ndërsa maksimali është burgim i përjetshëm.

n.e/NOA

KOMENTE