English

Integrimi… në Serbi

Bashkësia ndërkombëtare kur i ka lënë serbët e Kosovës tërësisht nën tutelën e Beogradit, ka menduar se kjo do të mund të ishte zgjidhje fillestare funksionale për sigurinë e tyre. Por pikërisht ky pushtet i Beogradit mbi serbët ka rezultuar të jetë fatal për sigurinë e Kosovës

Nga Glauk Konjufca

Oliver Ivanoviqi, një ish karateist serb nga Mitrovica, menjëherë pas vendosjes së trupave franceze të KFOR-it mbi urën e lumit Ibër, filloi organizimin e formacioneve paramilitare dhe strukturave paralele të Serbisë për ndarjen e këtij qyteti. Përgjegjës kryesor prapa Rojeve të Urës e nxjerr edhe ish kryeadministratori francez i UNMIK-ut, Bernard Kouchneri, në librin e tij Luftëtarët e Paqes, me ç'rast shkruan se trupat e NATO-s u vendosën mbi urën e Ibrit, dhe e ndanë kështu qytetin në dysh përmes vijës së lumit, duke ua mundësuar serbëve përqendrimin e tyre në pjesën veriore si dhe duke ua lënë duart e lira për ta organizuar sigurinë, pushtetin politik, shëndetësinë, arsimin, administratën etj. Tolerimi i këtyre strukturave paralele çoi në spastrimin etnik të pjesës veriore të qytetit nga prania shqiptare, e cila përbënte shumicën në këtë anë. Strukturat e Serbisë e spastruan popullatën, kurse më pas erdhi shteti serb dhe filloi blerjen e pronave të shqiptarëve, të cilët as nuk mund të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre për shkak të sigurisë së munguar, por të lodhur nga pasha e varfërisë, kushtet e rënda ekonomike dhe shpërfillja e institucioneve të Kosovës, herë-herë shtrëngoheshin t'i shisnin pronat e tyre, të cilat i blinte ish Qendra Koordinuese e Serbisë për Kosovën. Gjatë gjithë kësaj kohe KFOR-i ka trumbetuar "siguri, paqe dhe stabilitet" në një "Kosovë për të gjithë".

Nëntë vjet kanë kaluar që prej atëherë. Shumëçka ka ndryshuar tashmë. Qendra Koordinuese e Serbisë për Kosovën është ngritur në nivel ministrie - Ministria e Serbisë për Kosovën. Kurse Oliver Ivanoviqi, dikur përfaqësues i Rojeve të Urës, ka përfunduar si Sekretar i kësaj Ministrie. BE-ja, UNMIK-u, ICO-ja, EULEX-i, e qe besa krejt në fund edhe Sadri Ferati, po na thonë që ka përparime në drejtim të integrimit të serbëve në Kosovë. Rruga që e ka bërë Oliver Ivanoviq flet më së miri për rrugën e karrierës politike që e bëjnë serbët e Kosovës falë strategjisë së pranisë ndërkombëtare që ta përforcojnë pozitën e Beogradit si faktori vendimtar që vendos për fatin e serbëve të Kosovës. E meqë Serbia e ka territorializuar problemin e serbëve të Kosovës, atëherë kjo do të thotë që, në këtë mënyrë, po mbahet peng integriteti territorial i Kosovës.

Kur po zhvilloheshin negociatat për statusin e Kosovës në Vjenë, Oliver Ivanoviqi pati fërkime serioze me delegacionin e Beogradit, për shkak të mospërputhjes së kërkesave. Beogradi e akuzonte Ivanoviqin se po paraqiste plane alternative ndaj atyre që po propozonte delegacioni serb. Kurse, në anën tjetër, nëpër intervista Ivanoviqi thoshte se Beogradi nuk po i mbron siç duhet interesat e serbëve të Kosovës, duke i akuzuar politikanët nga Serbia se kishin kërkesa shumë të ulëta për serbët e Kosovës. Ishte po e njëjta strategji që Serbia ka përdorur në Kroaci dhe Bosnje me Milosheviqin: përfaqësuesit lokalë që mbronin interesat e serbëve jashtë Serbisë ishin më radikalë se ata që flisnin nga Beogradi. Së pari në këtë mënyrë Beogradi shfajësohej. Milosheviqi thoshte se nuk i ka nën kontroll Karaxhiqin e Mladiqin. Por në fund, të gjithë bëheshin bashkë - aty ku e dinin se e kishin vendin që prej fillimit - në një projekt që nuk kishte filluar as me Milosheviqin, e nuk do të mbarojë as me Tadiqin, në një projekt që fillon në vitin 1844 e që po vazhdon edhe sot e kësaj dite - në projektin hegjemonik serb për përfshirjen e të gjithë serbëve brenda territorit të një shteti serb. Për sa kohë Karaxhiqi e Mladiqi e kishin prapa artilerinë serbe, logjistikën, grupet paramilitare dhe snajperistët që ua siguronte Milosheviqi, dhe për aq sa ata mund t'i zgjeronin territoret e kontrolluara në Bosnje, Milosheviqi e kishte komoditetin e ankimit për të "çmendurit e pakontrollueshëm', kurse vetë këto dy duar të zgjatura të Beogradit mund të vazhdonin ta kryenin punën e tyre të papenguara: masakrimin e boshnjakëve, dëbimin e tyre, krijimin e entitetit kriminal, Republikën Serbe të Bosnjes. Por kur u arrit qëllimi i tyre i përbashkët, të gjithë përfunduan të bashkuar pas këtij projekti që i lidhte. Të mos harrojmë që Marrëveshjen e Daytonit e nënshkroi Milosheviqi, jo Karaxhiqi e Mladiqi.

Oliver Ivanoviqi është futur nën sqetull të Serbisë - aty ku në të vërtet ka qenë prej fillimit. Një herë e një kohë më parë ai shihej prej qarqeve të ndryshme të pranisë ndërkombëtare në Kosovë si partner serioz me të cilin do mund të ndërtohej një alternativë e përfaqësimit dhe organizimit politik të serbëve të Kosovës jashtë kontrollit agresiv të Beogradit. Por pas karrierës së tij përplot kthesa, herë-herë e shoqëruar edhe me bomba që viheshin nën veturën e tij, ai përfundoi në përfaqësues të Serbisë, e cila flet për serbët e Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare kur i ka lënë serbët e Kosovës tërësisht nën tutelën e Beogradit, ka menduar se kjo do të mund të ishte zgjidhje fillestare funksionale për sigurinë e tyre. Por pikërisht ky pushtet i Beogradit mbi serbët ka rezultuar të jetë fatal për sigurinë e Kosovës. Ky pushtet i Serbisë mbi serbët e ka mbytur çfarëdo shprese se do të mund të kemi forca politike serbe në Kosovë që do të mund të dalin jashtë konceptit politik hegjemonik serb për të krijuar hapësirë politike jashtë kësaj kornize. Bile-bile, të kërkosh nga serbët e Kosovës të integrohen në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, kur në anën tjetër, strukturat paralele të Serbisë kontrollojnë jetën e tyre, kurse institucionet e Kosovës bëjnë sehir - kjo është diçka më shumë se dyfytyrësi. Serbët integrohen atëherë kur Kosova ka kontroll mbi territorin e vet. Një Kosovë e dobët përgjithnjë rrezikon të mbetet e ndarë etnikisht dhe jofunksionale politikisht.

KOMENTE