English

KQZ i Kosovës diskuton sot nëse në zgjedhje duhen përdorur kamerat

Prishtinë, 10 gusht, NOA - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë do të marrë sot në shqyrtim gjatë një mbledhje të posaçme të tij, diskutimin nëse duhen vendosur apo jo kamerat e monitorimit nëpër qendrat e votimit gjatë procesit elektoral për zgjedhjet vendore të 15 nëntorit.

Kërkesa për vendosjen e kamerave është bërë nga partia opozitare, Aleanca Kosova e Re e Behxhet Pacollit, sipas së cilës, një akt i tillë do të rriste në maksimun transparencën e procesit zgjedhor, ndërsa ajo është mbështetur edhe nga partitë tjera opozitare dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në pushtet.

Ndërsa Partia Demokratike e kryeministrit Hashim Thaçi nuk është deklaruar për këtë çështje.

Nga ana e tyre, zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë bërë të ditur lidhur me këtë çështje se Këshilli për Buxhet dhe Financa po analizon mundësitë për vendosjen e kamerave të vëzhgimit në mbi 2000 qendra votimi si edhe koston në total që kërkon një proces i tillë.

Nëse kostoja e vendosjes së kamerave do të jetë e papërballueshme, në KQZ thonë se ato do të vendosen vetëm në qendrën kryesore të numërimit të votave, ndërsa ata që hodhën idenë e vendosjes së tyre pohojnë se një gjë e tillë duhet realizuar me çdo kusht, pavarësisht kostos që ka ky proces.

n.e/NOA

KOMENTE