VETËM PËR ABONENTËT/
Nga bashkëpunëtori ynë në Athinë
Elefsinë - ATHINË, 10 Gusht NOA - Tragjedi familjare ndodhi të Hënën në Elefsinë, qytet bregdetar pranë Athinës në Greqi, ku dy fëmijë u gjetën të mbytur në banesë kurse nëna e tyre nën rrotat e një makine, pak pasi dyshohet se i mori jetën fëmijëve të saj.
Ngjarja, sikurse informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, ka ndodhur mesditën e së hënës në Elefsinë, në familjen Terziu, e cila, burrë e grua me një djalë dhe një vajzë, jetonin prej vitesh si emigrantë të rregullt në vendin fqinjë.
Policia e Athinës, sektori kundër krimit ndaj personit, konfirmoi për agjencinë e lajmeve NOA, se ka nën vëzhgim policor, të dyshuarën e mbytjes deri në vdekje të dy fëmijëve, 8 dhe 10 vjeç, vëlla e motër.
Dy të vegjlit e pajetë, u gjetën sot në mesditë në rrugën "Riga Fereu" nr 5 në qytetin e Elefsinës, rreth 55 kilometra larg kryeqytetit Athinë, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.
Burimet policore konfirmuan se në orën 11.30, një grua ka telefonuar në sallën e pritjes së thirrjeve nga qytetarët në rajonin policor Athinë. Ajo ka raportuar se ishte fqinjë e familjes Terziu dhe se kishte gjetur brenda në banesë, të pajetë, djalin dhe vajzën e çiftit shqiptar.
Në pak minuta shumë forca policie, autoambulancë dhe ekspertë mjeko-ligjorë mbërritën në vendngjarje.
Ata konstatuan se dy fëmijët motër e vëlla, A. Terziu dhe S. Terziu, përkatësisht, tetë dhe dhjetë vjeçar, ishin mbytur në fyt me duar dhe kishin ndërruar jetë që të dy. Ata gjendeshin brenda në vaskën e banjës.
Eksperti mjeko-ligjor Hristos Levkidis, tha se ende nuk ka dalë një rezultat konkret për të qartësuar nëse dy fëmijët ishin mbytur me duar apo ishin mbytur me ujë brenda vaskës ku i ati tha se i gjeti, para se t'i dërgojë në shtrat ku edhe i gjeti policia e cila i dërgoi kufomat në morg.
***
Pak minuta pasi u bë ky zbulim, një tjetër ngjarje u raportua disa dhjetëra metra më tutje, këtë herë nga një shtetas grek i cili me një autoveturë me të cilën drejtonte, ishte lemerisur nga skena që u detyrua të përballojë.
Qytetari 30-vjeçar, i tha policisë se ndërsa po udhëtonte në rrugën Iera ("Iera Odho"), ka shtypur një grua e cila përfundoi nën rrotat e veturës, duke u plagosur rëndë.
Udhëtari raportoi se nuk bëhej fjalë për aksident, por për një dalje të qëllimshme të 37-vjeçares, e cila po përpiqen t'i jepte fund jetës.
E plagosura, është dërguar në spitalin shtetëror të Xhanios në Pire, që ju shihni në foto, ku edhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, të cilët thanë se gjendja e saj mbetet serioze, për shkak se ajo ka marrë plagë të rënda në kokë.
Nga hetimi, doli se 37-vjeçarja, i ka dalë përpara makinës në çastet e fundit dhe ka përfunduar nën rrotat e saj, duke dashur të kryejë vetëvrasje, vetëm disa minuta, pasi ka kryer krimin familjar.
Policia pasi mori në pyetje të dyshuarën, familjarë dhe fqinjë të familjes Terziu, arriti në konkluzionin se Bardha Terziu, 37 vjeçe, lindur në Dibër e banuese në Tiranë, me banim të përkohshëm në Greqi, ishte autorja e mbytjes së dy fëmijëve të saj dhe më pas autore e flijimit të tentuar, që besohet se e kreu pasi përjetoi gjendje depresive dhe pendese për ngjarjen e ndodhur.
Por policia shtoi se hetimet do të vazhdojnë dhe do të thellohen për të sqaruar gjithçka mbi ngjarjen që shkoi banorët e zonës dhe sidomos të pallatit ku jetonte familja e mbetur pa fëmijë, pallat që ju e shihni në foton kryesore të raportit.
***
Shumë e rëndë ka qenë situata për Adri Terziun, burrin 39-vjeçar të së dyshuarës. Kur ka mbërritur në shtëpi, i njoftuar me celular nga disa fqinjë dhe të njohur, ai është lemerisur nga pamjet që pa.
Bashkëshorti i tha policisë se gjendej në punë e sipër në një objekt, të një firme ndërtimi ku ai punon, kur është njoftuar për ngjarjen e tmerrshme.
Burri 39-vjeçar ka deponuar se e shoqja, kohët e fundit, përballej me probleme psikologjike, shfaqte shenja depresioni herë pas here, por kurrë nuk ia priste mendja se do të ndodhte një gjë e tillë.
Ndërsa duke folur për televizionin grek Alpha, babai i të mbyturve detajoi se në mëngjes kishte shkuar normalisht për në punë, duke lënë në shtëpi gruan dhe dy fëmijët e tyre, motër e vëlla, duke luajtur.
Më tej, do të plotësonte librin e sigurimit shëndetësor dhe kur po kthehej në shtëpi, ka parë të shoqen, pak metra larg shtëpisë së tyre, të ecte tutje-tëhu me të shpejtë nëpër rrugë, larg trotuarit.
Duke dashur që t'i tërhiqte vëmendjen të shoqes që të kishte kujdes, i thirri, por ajo u vu në tepër nën panik dhe u përplas me makinën më të parë që u afrua, duke përfunduar nën rrotat e saj.
Në këto kushte, bashkëshorti ka njoftuar menjëherë policinë rrugore për të raportuar një aksident.
n.s.k.k/NOA