Tiranë, 11 gusht NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në takim ambasadoren e re të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mcilëham.
"Ka një ndryshim të dukshëm, veçanërisht në infrastrukturë. Në këto pak ditë që kam  udhëtuar nëpër Shqipëri kam vënë re një zhvillim në rritje të zonave ku kalojnë rrugët e reja," tha ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar.
Duke i uruar mirëseardhjen, Kryetarja Topalli ndau me zonjën Mcilëham mendimin se Shqipëria është një vend me tregues dinamikë të zhvillimit. "Vendi po përjeton rritje ekonomike dhe ka një energji në rritje, veçanërisht me ndërtimin e rrugëve të reja, që më parë pengonte zhvillimin në pothuajse gjysmën e vendit," tha zonja Topalli.
"Në mandatin tonë të dytë jemi të vendosur për të përfunduar ndërtimin dhe rinkonstruktimin e të gjitha rrugëve në vend."
Ambasadorja britanike i shprehu Kryetares së Kuvendit ngushëllimet e saj për humbjen e jetës së katër punonjësve të policisë gjatë kapjes së një personi në kërkim.
Duke vlerësuar punën e policisë shqiptare në sfidën me krimin, ambasadorja theksoi se Mbretëria e Bashkuar është e vendosur të vazhdojë bashkëpunimin me një sërë projektesh aftësimi për policinë shqiptare.
Kryetarja e Kuvendit, theksoi se reforma në gjyqësor është kyçe për luftën ndaj krimit, pasi puna e policisë ka nevojë për mbështetjen e të gjithë sistemit. "Ishte një humbje e vërtetë. Përballja me krimin ka një çmim. Bashkërendimi i të gjitha institucioneve për të vënë kriminelët para drejtësisë mbështet dhe motivon policinë në përballjen e saj të ashpër me krimin," u shpreh Kryetarja Topalli. Gjatë takimit ambasadorja britanike dhe Kryetarja Topalli shkëmbyen mendime rreth qeverisjes së ardhshme në koalicion, rolit të gruas në politikë, etj.
k.k/NOA
Â