English

Autoritetet shqiptare dhe KE, heshtin për rastin e Gurrës

Tiranë, 11 gusht NOA - Autoritetet shtetërore në Shqipëri, duket se kanë vendosur ta kalojnë në heshtje ngjarjen e së hënës në fshatin Gurrë të Burrelit, kur hetues të Këshillit të Evropës (KE) nuk u lejuan nga banorët të vizitonin shtëpinë ku pretendohet se janë kryer transplante organesh të qytetarëve serbë të rrëmbyer nga ish-njësi të UÇK-së në vitin 1999.

Banorët thanë se ata nuk kishin dokumente identifikimi dhe për më tepër as leje për të kryer një vizitë të tillë.

Por burime të besueshme për BBC, nga ministria shqiptare e Drejtësisë thanë sot, se kishin dijeni për një vizitë të hetuesve të KE e cila sipas tyre mund të inkuadrohet në një vizitë informale.

Po sipas këtyre burimeve, autoriteteve shqiptare nuk ju është vënë në dispozicion asnjë plan nga ana e hetuesve të KE se çfarë synonte vizita në fshatin Gurrë të Burrelit.

Sipas ligjit shqiptar hetuesit e KE minimalisht do të duhet të ishin shoqëruar në këtë vizitë të tyre nga zyrtarët e prokurorisë shqiptare.

BBC në shqip kontaktoi me zyrën e Komunikimit të Këshillit të Evropës në lidhje me ngjarjen në Gurrë, por ata thanë se në këtë etapë nuk kanë më shumë informacion për të dhënë dhe se kryesuesi i delegacionit hetues të KE-së, Dick Marty, do të përgatisë ndërkohë një raport.

Vizita e delegacionit të KE-së synon të hedhë dritë mbi disa pretendime serbe dhe shkrimet e ish-kryeprokurores së Hagës, Karla Del Ponte se në territorin shqiptar janë kryer transplante organesh të qytetarëve serbë të rrëmbyer nga ish-njësi të UÇK-së.

Autoritetet shqiptare vazhdimisht e kanë mohuar një gjë të tillë dhe janë shprehur të gatshme që të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për të zbardhur të vërtetën.

Â

KOMENTE