Natyrisht nëse e sheh Kosovën nga perspektiva e Serbisë, Telekom Srbija është operator legal në Kosovë e Vala dhe IPKO janë ilegalë
Visar Ymeri
Kur na e prezantonte EULEX-in, Hashim Thaçi na thoshte se ky do të jetë mision që do ta garantojë mosndarjen e vendit. Pra, se vetëm me EULEX veriu i Kosovës do të mbetet në Kosovë. Ndërkohë që EULEX-i na tregonte qartë se do të jetë neutral karshi statusit (që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës), gjë që automatikisht nënkupton anim kah situata ekzistuese në terren, Hashim Thaçi dhe kori institucional njëzëri thonin se EULEX është mision i pavarësimit të Kosovës dhe shkëputjes së saj përfundimtare nga Serbia.
EULEX-i qysh nga fillimi ka qenë i disejnuar të jetë mision i cili do të funksionojë nën ombrellën ligjore të OKB-së (Rezoluta 1244) dhe (edhe) nën ombrellën institucionale të organizatës së njëjtë përkrah BE-së. Që të gjitha këto ombrella janë në kundërshtim me pavarësinë e Kosovës. Rrjedhimisht nuk ka kurrfarë gjasash që EULEX të jetë tjetër prej këtyre. Dhe ai nuk është. Fjalët e Hashim Thaçit nuk ia drejtojnë punën misionarëve të EULEX-it, por baza ligjore dhe mbështetja institucionale që ua mundëson praninë atyre këtu. Dhe pikërisht sipas tyre është duke vepruar EULEX-i. Aha, po mos ta harrojmë edhe Planin 6 Pikësh të OKB-së…
Më 19 nëntor, dhe pastaj më 2 dhjetor, qytetarët e Kosovës patën kundërshtuar në rrugë vendosjen e EULEX-it në vendin tonë. Nuk e donim këtë mision i cili po instalohej këtu për të na e mbajtur të gjallë dhe trashur lidhjen me Serbinë, meqenëse po instalohej këtu për ta zbatuar planin 6 Pikësh. Atëherë na thonin se EULEX nuk ka asgjë të bëjë me 6 Pikëshin. Të njëjtën gjë e thonë edhe tash. Ndërkohë që EULEX-i vazhdon ta konsiderojë praninë e Serbisë në Kosovë si të domosdoshme, të pëlqyeshme dhe madje të dobishme. Për EULEX-in Kosova pa Serbinë nuk bën.
Hanns-Christian Klasing është përgjegjës për shtypin dhe informatat publike për EULEX-in në pjesën veriore të Kosovës. Ai ka filluar, dhe do të vazhdojë, të na tregojë se çfarë bën EULEX-i në atë pjesë të vendit tonë. Nga përvoja me UNMIK-un kemi mësuar se janë po ata zyrtarë që shërbejnë në veri njëkohësisht edhe më të sinqertët. Për shkak se vendi i tyre i punës dallon nga të tjerët - ata atje sfidohen përditë nga strukturat paralele të Serbisë, sfida këto që i shtyejnë ata të lëshojnë pe vazhdimisht ndaj tyre, gjë që e bën të pa mbulueshme padrejtësinë inherente të neutralitetit mes së drejtës dhe okupimit, një misioni si UNMIK-u apo EULEX-i.
Në një intervistë Klasing kishte deklaruar se prej vizitës së shefit të tij Yves de Kermabon në Beograd, kur Kermabon ishte takuar me ministrat e qeverisë serbe, relevantë për 6 Pikëshin, dhe u kishte premtuar atyre bashkëpunim të vazhdueshëm, EULEX-i është në kontakt të vazhdueshëm me pushtetin në Beograd duke i diskutuar çështjet për të cilat EULEX-i ka përgjegjësi (polici, gjyqësi, dogana). Sipas Klasing EULEX-i "është shumë i interesuar që të gjejnë zgjidhje të pranueshme si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën". Ashtu siç kërkon 6 Pikëshi EULEX-i po negocion me Beogradin për zbatimin e shtyllave më të rëndësishme të sovranitetit shtetëror brenda Kosovës. Këto biseda sipas Klasingut po i transmetohen pastaj edhe qeverisë së Kosovës, përkundër deklaratave të ministrave të Kosovës se nuk janë të informuar për këto negociata. Ndoshta Klasingu po rren. Mirëpo ai ka më pak arsye për të gënjyer pasi që ai nuk lufton për vota të qytetarëve të Kosovës. Votat i kërkojnë ministrat e Kosovës.
Sa i përket proceseve gjyqësore, Klasingu deklaron se përveç që gjykatësi ka të drejtë ta zgjedh ligjin në të cilin do ta bazojë procesin dhe vendimin gjyqësor, këtë të drejtë e gëzojnë edhe të pandehurit (sikur në gjykimin e dy kriminelëve ordinerë në Mitrovicë, kur ata kishin zgjedhur që të gjykohen sipas rreguloreve të UNMIK-ut). Kur ishte në Beograd Kermabon nuk e kishte hedhur poshtë kërkesën e ministrave serbë që në pjesët e Kosovës të banuar me serbë të zbatohej kodi penal i Serbisë. Tash Klasing po na tregon se, kur të zgjedhin, të pandehurit serbë paskan mundësi ta zgjedhin kodin penal të Serbisë për gjykimin e tyre. Kjo nuk do të thotë se ata do të dënohen me shumë a më pak për krimin e tyre sipas këtij kodi. Dhe kjo nuk ka aspak rëndësi. E rëndësishme është që EULEX-i dhe gjykatësit e EULEX-it ia kanë hapur tashmë derën krjimit të dy sistemeve ligjore në Kosovë, pra ndajes së sovranitetit të Kosovës në dysh (gjatë negociatave ekipi i Serbisë e pat hedhur idenë e kondominiumit [sovranitetit të ndarë] mes BE-së dhe Serbisë për Kosovën). Ashtu siç e kërkon 6 Pikëshi i cili niset nga parimi që pakica serbe në Kosovë duhet të vetat çdo gjë që kanë pjesa tjetër e qytetarëve të Kosovës (sistemin e vet gjyqësor, sistemin e vet arsimor e shëndetësor, policinë e vet, doganat e veta, etj.)
Dhe nuk është e rëstësishme që EULEX-i është pikërisht mision për 3 pikat më të rëndësishme nga 6 sosh. Na është thënë që EULEX-i do të jetë misioni ekzekutiv në ato fusha ku institucionet e vendit na paskan dështuar (edhe pse në të gjitha këto fuqia ekzekutive ka qenë e UNMIK-ut e jo e institucioneve vendore). Po edhe po ta pranonim këtë vijë argumentimi prapë diçka mbetet e paqartë: pse të kemi EULEX në dogana? A nuk kanë qenë doganat njëri prej institucioneve më të suksesshme në Kosovë qysh prej se funksionojnë? Doganat vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e mbushjes së buxhetit të Kosovës. Natyrisht edhe aty përflitet për korrupcion, dhe nuk kanë arritur ta ndalin tërësisht kontrabandën, mirëpo cili shtet në rajon e ka arritur një të tillë. Sipas vetë krerëve institucionalë të Kosovës doganat e Kosovës janë një ndër institucionet më të suksesshme në Kosovë, si dhe një ndër doganat më të suksesshme në rajon. Pse EULEX-i? Për 6 Pikësh. Për t'i marrë nën kontroll pikat veriore doganore dhe për të mos na i kthyer më kurrë.
Klasing në letërnjoftimin e vet elektronik i ka dy numra fiks dhe dy mobil. Përveç Valës ai mban edhe një numër të Telekom Srbija që fillon 064. Sipas tij ky është i nevojshëm sepse i duhet të komunikojë kur gjendet në pjesën e Kosovës përmbi lumin Ibër. EULEX-i nuk e konsideron këtë operator ilegal. Klasing ligjshmërinë e veprimit të këtij operatori nga Serbia në Kosovë pa u liçensuar nga ART e Kosovës, e sheh si çështje perspektive. Natyrisht nëse e sheh Kosovën nga perspektiva e Serbisë, Telekom Srbija është operator legal në Kosovë e Vala dhe IPKO janë ilegalë. Kështu publikisht nuk janë deklaruar as UNMIK-u. Disa herë është thënë se për ta kuptuar se çfarë po ndodh në Kosovë duhet ta kuptosh se çfarë ndodh në Mitrovicë. Klasingu, i cili jeton në këtë qytet verior të Kosovës, na tregoi pak a shumë se si vepron dhe si mendon EULEX-i karshi Serbisë, Kosovës, dhe veriut të Kosovës të okupuar nga Serbia.