English

Ideja pa aktualitet

Natyrisht, një shkëmbin parimor i territoreve si me magji, është shumë më pozitiv sesa planet e politikës sonë, e cila turravrap qiti zjarr nga goja kundër idesë së Rohrabacherit

Nga Glauk Konjufca

Para pak ditësh u riaktualizua furishëm ideja për shkëmbime territoriale mes Serbisë dhe Kosovës. Kësaj radhe ishte kongresmeni deri sot jo fort i njohur amerikan, Dana Rohrabacher, ai që e çoi pluhurin. Le ta themi troç që në fillim: edhe pse ideja e kongresmenit mbetet krejt pa aktualitet, ç'është e vërteta, ajo u servua nga njëri prej mbrojtësve më të mëdhenj dhe parimorë amerikanë të çështjes shqiptare.

Mos të harrojmë që Rohrabacher ishte prej më këmbëngulësve zyrtarë amerikanë për armatosjen e UÇK-së dhe shumë kritik për politikën zyrtare amerikane, e cila u përmbyll disi në formën e kompromisit të turpshëm me Milosheviqin për ardhjen e UNMIK-ut, çarmatosjen e UÇK-së dhe shuarjen e saj përfundimtare. Në një intervistë dhënë agjencisë News Hour dy javë përpara se të fillonte bombardimi i Serbisë, Rohrabacher, duke polemizuar me gazetaren për përgjegjësitë e dështuara të evropiane dhe strategjinë e gabuar amerikane, kishte thënë:

"Po të ishin ata seriozë, natyrisht, do ta pranonin që Milosheviqi është ai që po e shtyp popullin e Kosovës, 90 përqind e të cilëve duan të çlirohen nga Serbia, dhe do t'ua njihnin kosovarëve të drejtën e tyre për vetëvendosje, ashtu siç ua njohën atë sllovenëve, kroatëve dhe boshnjakëve. Arsyeja pse kishte gjakderdhje më parë ishte fakti se aleatët tanë dhe vetë Shtetet e Bashkuara vetëm bënin sehir dhe thonin që ne ose do të dërgojmë trupa, ose do të rrimë duarkryq. Ne mund ta pranojmë këtë popull si të pavarur dhe t'u japim atyre mjetet për ta bërë luftën e tyre. Atyre nuk iu duhen trupat amerikane. Ata dëshirojnë ta bëjnë luftën e tyre për lirinë e vet. (…). Ne ndenjëm ulur vetëm me embargo armësh, përderisa serbët bënin çdo lloj masakre, në vend se të mbanim qëndrimin - le ta ndihmojmë këtë popull që po lufton për lirinë e vet e t'ua pranojmë atyre pavarësinë meqë ata janë shumicë e thellë në vendin ku jetojnë". Pas luftës, Rohrabacher loboi për UÇK-në dhe pavarësinë e Kosovës.

Është krejtësisht e qartë që problemi i idesë së kongresmenit amerikan nuk lidhet aspak me përmbajtjen e aktivitetit të tij politik, siç po pretendojnë disa politikanë naivë, sepse prapavija e punës së tij është krejtësisht e pastër dhe parimore, gjë që mund të faktohet me çdo reagim, deklaratë a qëndrim të tij të mëhershëm për Kosovën. Madje, mund të thuhet që Rohrabacher, dora në zemër, me idenë e tij të fundit për shkëmbim territoresh, është munduar që nëpërmjet një propozimi formalisht parimor të ndajë drejtësi, dhe kështu t'ia heq Serbisë nga kontrolli të paktën territorin i cili banohet me shqiptarë - Kosovën Lindore.

Meqë Serbia i kontrollon me strukturat e veta konkrete shtetërore e policore edhe pjesën veroire të Kosovës, edhe Luginën e Preshevës, ideja e Rohrabacherit për shkëmbim territorial mes këtyre dy pjesëve, madje, mund të tingëllojë si dashamirësi ndaj shqiptarëve, me ç'rast, pas një propozimi parimor fshihet një plan eventual proshqiptar (gjithnjë duke pasur parasysh gjendjen aktuale në terren në këto dy pjesë).

Por në kohën kur Serbia ka kontroll konkret mbi të dyja territoret; në kohën kur e dimë sigurt që Serbia nuk jep ‘dhurata' falas; në kohën kur në veri po ndalohet kthimi i shqiptarëve, kurse nga Lugina po ndodh shpërngulja e tyre nën trysninë e përditshme të forcave policore serbe; në kohën kur Serbia po gjen mbështetje ndërkombëtare dhe vendore që ta bëjë një pjesë veriore edhe në lindje të Kosovës nëpërmjet decentralizimit, kurse Lugina ka mbetur e shtypur dhe e harruar ndërkombëtarisht nga Prishtina e Tirana; dhe në kohën kur ne nuk po shohim kurrfarë nisme ndërkombëtare që Serbisë t'i vihen sanksione, kushtëzime konkrete, apo presion politik e ekonomik (pse jo edhe kushtëzim për hyrje në BE), që ta shtyjë atë të përcaktohet mes pjesës veriore a Luginës, atëherë, deklarata e një kongresmeni amerikan, dhe aktualizimi aq i gjerë i idesë së tij, nuk janë gjë tjetër veçse matje e pulsit dhe gatishmëri konkrete vendore dhe ndërkombëtare që Serbisë t'i jepet veriu i Kosovës. Kaq.

Natyrisht, një shkëmbin parimor i territoreve si me magji, është shumë më pozitiv sesa planet e politikës sonë, e cila turravrap qiti zjarr nga goja kundër idesë së Rohrabacherit. Prania e kaluar dhe e tanishme ndërkombëtare në Kosovë po e ndjek strategjinë e forcimit të lidhjeve të territoreve të banuara me serbë brenda Kosovës me Serbinë.

Plani i Ahtisaarit, decentralizimi, ndarja e pjesës veriore, tolerimi i strukturave paralele… të gjitha këto janë hapa drejt konsolidimit dhe fuqizimit të kësaj lidhjeje dhe marrëdhënieje. Dhe, pa dyshim që, kësaj më së shumti po i shërbejnë vetë udhëheqësit politikë të Kosovës.

Ata janë kundër idesë së Rohbabacherit jo sepse e duan edhe pjesën veriore (Zot ruana!), edhe Luginën, aq sa u ndjenë të fyer nga oferta ‘minimaliste' e kongresmenit. Por pikërisht sepse të dy këto pjesë ata i kanë shitur, i kanë harruar, i kanë nëpërkëmbur, i kanë tradhtuar. Dhe po punojnë jo vetëm që Serbisë t'i lihet nën kontrollin e saj kriminal pjesa veriore e Kosovës dhe Lugina e Preshevës, por që nëpërmjet decentralizimit, pas disa vitesh t'i jepet edhe Anamorava.

KOMENTE