English

Mbytja e fëmijëve, 37-vjeçarja refuzoi mjekun psikiatër

Nga bashkëpunëtori ynë në Greqi, Nikos Samaras

Elefsinë, Athinë, 11 Gusht NOA - Gruaja 37-vjeçare e cila shihet si e dyshuara e vetme e tragjedisë së ndodhur dje në Greqi, kishte refuzuar në mënyrë sistematike mjekun psikiatër duke pranuar vetëm të merrte disa ilaçe antidepresive qetësues.

Këto pohime i ka bërë sot, bashkëshorti i të dyshuarës, baba i dy fëmijëve që u gjetën të mbytur dje në Elefsinë të Greqisë. Ai ka pohuar se prej disa javësh në shtëpi kishte plasur sherri i vazhdueshëm për shkak se e shoqja shfaqte çorientim mendor.

Adri Terziu i tha policisë në dëshminë që dha sot, se edhe dy netët e fundit kishte pasur shumë acarim pikërisht për këtë shkak. Ai ka rrëfyer se i kërkonte të shoqes të vizitohej te mjeku psikiatër. Ajo, nën britma i thoshte se as që kishte nevojë dhe se nuk ishte e çmendur.

Babai i fëmijëve të mbytur: Si zbulova tragjedinë

Adri Terziu ka rrëfyer se ditën e hënë kur ndodhi tragjedia, ishte larguar që në mëngjes, jo për në punë si zakonisht, por në zyrat lokale për të vulosur librin e sigurimit shëndetësor, pasi vetëm kështu mund të blinte ilaçe me rimbursim për të shoqen që vuante nga gjendje depresive por refuzonte vizitën te mjeku psikiatër.

"Unë kisha shkuar tek IKA për të vulosur nga mjekët, librin e shëndetit, sepse me të duhet të blija në farmaci, disa ilaçe për time shoqe pasi kam parë se ajo vuan nga probleme psikologjike", ka treguar për policinë, babai 39-vjeçar i dy fëmijëve që dyshohet se i mbyti e shoqja.

Pikërisht teksa kthehej në shtëpi me ilaçet në duar të cilat duhet të pinte e shoqja, ka parë skenat e tmerrit.

Teksa kthehej në banesën që ndodhet në rrugën "Riga Fereu" nr 35 në Elefsinë, qytet bregdetar pranë Athinës, pak metra më tutje te kryqëzimi i rrugëve "Iera" dhe "Korinthu", sheh të shoqen Bardhën, 37-vjeçare, e cila lëvizte tutje-tëhu nëpër rrugën e makinave. Duke dashur ta lajmërojë se duhet të ketë kujdes i thërret.

Ky çast ka rezultuar dramatik sepse me t'u afruar një autoveturë, e ka përfshirë nën rrota.

Në gjendje koma, 37-vjeçarka është dergjur përtokë. I shoqi tregoi se kishte vrapuar ta ndihmonte.

Menjëherë ka lajmëruar policinë rrugore dhe më tej ambulancën e cila erdhi dhe e dërgoi të plagosurën në spitalin shtetëror të Xhanios në Pire.

Në ambulancë, e shoqëronte dhe i shoqi i cili tha se pasi e shtroi në urgjencë për t'iu nënshtruar ndërhyrjes mjekësore, u largua për në shtëpi të shihte fëmijët.

"Unë u afrova te porta e shtëpisë por ajo ishte e mbyllur nga brenda ndaj vrapova nga ballkoni i fqinjës për të hyrë", ka treguar Adri Terziu për policinë sot gjatë marrjes në pyetje.

"Kur hyra nëpër shtëpi thirra djalin dhe vajzën por askush nuk po përgjigjej. Nisa të kontrolloj kudo dhe kur hyra edhe në banjë, atje pashë se që të dy gjendeshin pa lëvizur brenda në vaskë".

Babai 39-vjeçar ka treguar se përjetoi çaste të dhimbshme kur pa skenën dhe kuptoi se fëmijët ishin të pajetë.

"Në çaste paniku, i nxora menjëherë fëmijët nga vaska, duke shpresuar se do të ishin ende gjallë dhe i vura në shtrat", pohon babai i pikëlluar që humbi djalin tetë vjeçar Sotirin dhe vajzën 10 vjeçare, Aleksandrën.

"Në atë çast, ajo që më mbetej, ishte të lajmëroja dhe një herë policinë", - pohon babai.

Në gjendje shoku, së bashku me të afërm dhe miq të tyre gjithashtu shqiptarë, siç shihni dhe në foto, ata kanë qëndruar pranë pallatit ku gjendet apartamenti i tragjedisë që gjithashtu dalloni në foton tjetër dhe kanë pritur mbërritjen e forcave të policisë.

***

Nga hetimet e kryera dhe nga ekspertiza, ka dalë dhe versioni përfundimtar mbi ngjarjen. Mjeku ekspert ligjor, Hristos Levkidis, tha sot se mbytja e fëmijëve në vaskë, ka qenë shkaku që i mori atyre jetën.

Fqinjët

Ndërkohë sot kanë dalë dhe dëshmi të 37-vjeçares para tragjedisë së djeshme. Fqinjët dhe të afërm të familjes, kanë treguar për policinë se familja kishte vetëm dy javë që kishte ardhur në Elefsinë pasi më parë, për disa vjet kishin jetuar në Larisa. Në Elefsinë, kishin marrë një apartament me qera në katin e tretë të një godine gjashtëkatëshe.

Bardha disa herë më parë kishte tentuar të vetëvritej dhe kishte deklaruar tek ata se nuk donte të jetonte më. Por këto thirrje, ditët e fundit nuk ishin dëgjuar më e për më tepër, askush nuk ia kishte vënë veshin duke mos besuar se do të mund të shkonte në vetëflijim. Dhe ca më keq akoma, askujt nuk ia priste mendja se ajo do të shkaktonte një kasaphanë të tillë.

 "Ato britma që dëgjuam nuk do t'i harrojmë kurrë. Ne pamë fqinjin shqiptar të dilte në rrugë dhe të dëgjonim teksa klithte emrat e fëmijëve të tij duke qarë me dënesë", treguan fqinjët për të përditshmen më të madhe greke "Kathimerini" e cila përshkruan vrasësen, si "Medea e kohëve moderne", duke iu referuar një tragjedie antike helene.

"Klithte: Fëmijët e mi, ku jeni fëmijët e mi, bërtiste emrat e tyre dhe qante", tregoi një fqinjë pranë banesës së familjes Terziu.

Ndërkohë, një emigrant shqiptar, gjithashtu punëtor ndërtimi, i cili punonte bashkë me 39-vjeçarin, citonte atë të ketë thënë se shpesh kishte probleme me të shoqen dhe grindeshin.

/n.s/e.l/k.k/NOA/

Lajmi dhe fotot që e shoqërojnë, janë prodhime të agjencisë së Lajmeve NOA dhe partneritetit me mediat greke. Ndalohet riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i tyre pa u përmendur burimi NOA

KOMENTE