Durrës, 11 gusht NOA - Të ndërtosh duke shkatërruar, është shndërruar në një proces rutinë në vend, duke krijuar vështirësi nga më të ndryshmet për banorët.
Rasti më i fundit, është ai i qendrës së qytetit të Durrësit, ku ndërtimi i një pallati, po shoqërohet me shkatërrimin e rrugës dhe trotuarit përbri.
Kjo ka shkaktuar reagimin e policisë e cila shoqëroi dhe më pas vendosi ndjekjen penalisht për administratorët e dy kompanive që ndërtojnë pranë vendngjarjes, tek pallati i Sportit.
Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, informon se procedimi penal në gjendje të lirë, nisi ndaj Fatjon Vogli, 31 vjeç, i lindur dhe banues në lagjen nr.2 Durrës, me arsim të mesëm, administrator i firmës V-Ndërtim sh.p.k dhe Ramazan Hasanbelliu, 47 vjeçar, i lindur dhe banues në lagjen nr.13 Durrës, me arsim të mesëm, Administrator i firmës së ndërtimit "Marena" sh.p.k.
"Procedimi penal ndaj tyre filloi për arsye se "në lagjen Nr 5 Durrës, në rrugën "Mujo Ulqinaku" është shembur një pjesë e rrugës në një gjatësi prej 20 metra dhe gjerësi prej 20 cm, si dhe pjesa e trotuarit me gjatësi 20 m dhe gjerësi prej 2 m", - konfirmoi zyrtarisht për agjencinë NOA, drejtoria e Policisë Durrës.
Ajo detajoi se "shkaku i prishjes së rrugës ka qenë se dy firmat e ndërtimit të mësipërm ndërtojnë një pallat 10-katësh, i cili është në fazën e themeleve dhe gropa e hapur është paralel me rrugën e dëmtuar".
Ekspertët konstatuan se në atë segment rruge kalon tubacioni i ujit të pijshëm i cili është i dëmtuar dhe në kohën e ardhjes se ujit ka gërryer dheun i cili ka rrëshkitur, duke pësuar ulje duke dëmtuar rrugën.
Policia sqaroi se "materialet do t'i kalojnë prokurorisë rrethit Durrës për veprën penale të "Shkatërrimit të rrugëve" parashikuar nga neni 155 të Kodit Penal".
a.a/e.n/NOA
Lajmi dhe foto që e shoqëron, janë prodhime të agjencisë NOA. Ndalohet publikimi i tyre i plotë ose i pjesshëm pa u cituar burimi NOA
Komentoni lajmin më poshtë: