Tiranë, 12 gusht NOA - "Asnjë trajtim skllavëror të punonjësve, në të kundërt punëdhënësit zyrtarë të administratave do të largohen menjëherë nga detyra".
Kryeministri Sali Berisha u është drejtuar sot të gjithë zyrtarëve të administratës shtetërore që mbajnë punonjës shtëpiakë që t'i regjistrojnë ata për t'u paguar sigurimet shoqërore deri në datën 1 shtator 2009, në të kundërt do të largohen menjëherë nga detyra. "Zyrtari që mban punonjës shtëpiak të padeklaruar do të largohet menjëherë nga detyra për fshehje të papranueshme dhe për trajtimin skllavëror të një individi" deklaroi Berisha.
Për kryeministrin Berisha, fshehja e pasurisë do të ishte më e lehtë sesa mosdeklarimi i një punonjësi shtëpiak nga ana e zyrtarit të shtetit, duke dhënë dhe ultimatumin për regjistrimin e menjëhershëm të punonjësve shtëpiakë.
Madje zyrtarët e administratave kanë afat më pak se tre javë për të deklaruar punonjësit e tyre.
"Të gjithë ata që nuk i regjistrojnë punonjësit shtëpiak deri në datën 1 shtator, nuk do të qëndrojë më në administratë sepse kjo gjë do të konsiderohet më e rëndë se sa fshehja e pasurisë. Kur të amendohet ligji i konfliktit të interesit, ky do të përbëjë problemin më madhor" deklaroi kryeministri.
Kohët e fundit edhe në vendin tonë ka nisur të punësohen njerëz, kryesisht nga shtresa të varfra të shoqërisë, për zyrtarë dhe biznesmenë.
Shumë prej tyre, kanë punësuar dado për t'u kujdesur për fëmijët, kujdestarë për të moshuarit, truproje, roje banesash e biznesesh, shërbyese, kopshtarë, etj.
Por thuajse asnjë prej të punësuarve, nuk rezulton në listat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. k.k/NOA
Â