Tiranë, 12 gusht NOA-Falsifikimi i bilanceve prej ekspertëve kontabël ka shqetësuar qeverinë në detyrë e cila urdhëroi të mërkurën në mbledhjen e saj sanksione të rrepta ndaj shkeljeve të tilla.
Duke konsideruar si një institucion të pazëvendësueshëm, së bashku me aktivitetin e noterëve, kryeministri Berisha në fjalën e tij theksoi se transparenca e veprimtarisë së tyre është kusht themelor për luftën kundër korrupsionit, evazionit, informalitetit.
"E konsideroj të domosdoshme që të bëhet një trajtim ligjor dhe të përcaktohen sanksionet më të rrepta ndaj çdo falsifikimi që eksperti i lejon vetes që të bëjë.
Nuk ka njerëz më të çmuar për vendin se ata në botën e biznesit.
Atë praktikë që ndjekim me noterin, në mënyrë identike duhet ta ndjekim edhe ndaj ekspertit kontabël që bën dhe kontrollon bilancin.
Njeriu është lakmitar, prandaj duhen që rregullat ta disiplinojnë dhe të jenë të atilla që të mos e lejojnë të fshehë në emër të fitimit, duhet që toleranca ndaj dy bilanceve të jetë zero," u shpreh Kryeministri.
Në të gjithë vendin numërohen rreth 40 ekspertë kontabël të regjistruar të cilët miratohen me vendim të qeverisë.
m.i/NOA
m.i/NOA