English

Kërkohej prej 7 vjetësh, si u kap Selami Hasani nga RENEA në Fier

Fier, 12 Gusht NOA / Lajm dhe fotot Update - I shumëkërkuari Selami Hasani, i cili është dënuar për vrasjen në vitin 2003 të nipit të "Ben Qimes", u arrestua sot herët në mëngjes, në një operacion special të policisë në Fier, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.

Mësohet se i shumëkërkuari tentoi të arratisej nga shtëpia ku gjendej i fshehur, por për shkak të rrethimit policor, dështoi dhe u dorëzua më tej, pa bërë rezistencë.

Aksioni

Operacioni i koduar "Parukueri", u krye nga forcat speciale RENEA, në bashkëpunim me forcat policore lokale, pohoi për agjencinë NOA, një burim zyrtar i Drejtorisë së Policisë së Fierit.

Nga ana e strukturave të policisë ishte marrë informacioni se shtetasi në kërkim Selami Hasani fshihej në banesën e tij.

"Në momentin që po ndërhyhej në banesë, personi në kërkim Selami Hasani, tentoj te largohej nga pjesa e pasme e banesës, por nuk ka mundur të largohej dhe është arrestuar nga forcat e policisë", - konfirmoi policia.

Ne momentin e kapjes atij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy pistoleta, nga të cilat njëra, "TT" me 13 copë fishekë dhe një "Zastava (Magnup) me 14 copë fishekë.

Krimi

Selami Hasani, 43 vjeçar, lindur e banues në Fier, akuzohet për vrasjen e dy personave dhe plagosjen rëndë të një të treti, në një ngjarje të ndodhur gjashtë vjet më parë në qytetin e vendbanimit.

Bëhet fjalë për ekzekutimin në mes të qytetit të të riut Julian Isufaj, nipi i "Ben Qimes", siç njihet Arben Isufaj, më 25 mars 2002.

Viktima gjendej së bashku me shokun e tij Bledar Kastrati i cili u plagos rëndë në këtë ngjarje.

Po ashtu, humbi jetën edhe kambisti Esat Tare kurse u plagos dhe kalimtari Taip Sulaj. Gjithçka ndodhi në momentet kur dy të rinjtë po këmbenin një shumë të hollash në tregun e kambistëve të qytetit.

Krimi u krye nga Selami Hasani, në bashkëpunim me shtetasit Pëllumb Yzeiri dhe Kujtim Hasanbasha.

Policia tha atëherë se ngjarja erdhi për shkak të hasmërive të vjetra mes familjeve Hasani dhe Isufaj dhe pak kohë më vonë, Selami Hasani u dënua më 3 nëntor 2004 me vendim të Gjykatës së Rrethit Fier, me 25 vjet heqje lirie.

Sakaq, policia tha se nga ana sektorëve të hetimit të Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier po punohet për dokumentimin ligjor të ngjarjeve për të cilat ka të dhëna se autore i tyre është Selami Hasani.

/e.b/e.n/NOA/ - Më shumë foto gjeni këtu

KOMENTE