Â
Prizren, 12 gusht NOA-Policia në rajonin e Prizrenit në Kosovë ka arrestuar një serb, i cili dyshohet për përfshirje të mundshme në krime lufte gjatë viteve 1998-99.
Zëdhënësi i policisë, Arbër Beka tha se fillimisht i dyshuari ishte arrestuar për shkak të kanosjes ndaj një personi tjetër, por hetuesit dyshojnë se ai mund të ketë kryer krime lufte në Kosovë.
Serbi 33 vjeçar nga një fshat i rrethit të Prizrenit, po mbahet në paraburgim nga policia.
Pas arrestimit të tij të martën në mbrëmje, policia e Kosovës ka njoftuar edhe prokurorinë speciale të misionit evropian, EULEX.
Mbi 10 mijë njerëz janë vrarë gjatë konfliktit në Kosovë në vitet 1998-99, por numri i personave që kanë dalë para drejtësisë për krime lufte është simbolik.
m.i/NOA