Shkup, 12 gusht NOA/MIA - Marrëveshja e Ohrit - për shumicën dokument me të cilin u kthye paqja në Maqedoni, iu dha fund konfliktit të vitit 2001, u mbyll çështja shqiptare dhe u vendos korniza për bashkëjetesë ndëretnike dhe perspektivë euroatlantike e shtetit.
Për të tjerët, ndërkaq, dokument i tejkaluar, të cilit i nevojitet ridefinim apo ndërrim i tërësishëm me marrëveshje të re ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve.
Tetë vite më pas, Marrëveshja e Ohrit edhe më tej e gëzon mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar dhe të një pjese të madhe të partive të bllokut politik shqiptar dhe atij maqedonas, si kornizë e vetme për zhvillim të shtetit. BE-ja dhe SHBA-ja, si garantues të saj, sipas pohimeve të përfaqësuesve të tyre në Maqedoni, mbesin me mbështetje të fuqishme dhe mendojnë se nuk ka nevojë për ridefinim të saj, por tregojnë se është i domosdoshëm zbatimi i saj konsekuent.
"BE-ja vazhdon ta mbështesë implementimin e Marrëveshje kornizë të Ohrit, si instrument më i mirë për mbështetje të stabilitetit dhe karakterit shumetnik të shtetit", thotë euroambasadori Ervan Fuerre, duke shtuar se bëhet fjalë për proces të vazhdueshëm, i cili duhet të reflektohet në procesin e marrjes së vendimeve, në institucionet publike dhe në procesin arsimor.
Fuere mendon se nuk ka nevojë për marrëveshje të re kornizë. Thotë se ka dobësi në implementimin e saj dhe se është në interes të të gjitha bashkësive etnike në Maqedoni të fokusohen në zbatimin e saj të tërësishëm.
"Marrëveshja e Ohrit është kornizë sipas së cilës shteti dhe qytetarët duhet të punojnë në mënyrë që të arrihet jetë më e mirë dhe zhvillim në Maqedoni, dhe SHBA-ja tërësisht e mbështet implementimin e saj"thekson ambasadori amerikan, Filip Riker.
Dy diplomatët mendojnë se fokusi në të ardhmen duhet të vihet në çështjet e parapara me marrëveshje, të cilat ende nuk janë përfunduar plotësisht, siç është decentralizimi, integrimi i bashkësive të tjera në sistemin arsimues dhe posaçërisht Ligji për gjuhët. Porosisin se duhet të gjendet mënyrë për implementimin efektiv të Marrëveshjes, përmes diskutimit të përbashkët të partive politike dhe grupeve të ndryshme etnike.
Edhe zëvendëskryeministri i angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Abdilaqim Ademi, në intervistën për MIA-n, me rastin e tetëvjetorit të nënshkrimit të saj, mendon se nuk ka nevojë për Marrëveshje të re kornizë, por përkundrazi, të gjithë duhet ta mbështesin zbatimin e kësaj që ekziston, e cila i dha fund një konflikti të brendshëm, e cila ka garanci ndërkombëtare dhe ia hapi rrugën vendit për anëtarësim në NATO dhe BE.
Pohimet e PDSH-së, e cila është njëra nga nënshkrueset e marrëveshjes, se ajo është e tejkaluar dhe Maqedonisë i nevojitet definim i ri i marrëdhënieve ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, për Ademin janë të pabaza dhe përpjekje për grumbullim të pikëve politike. Stagnim në zbatimin e saj, pohon, ka pasur mu në kohën kur PDSH-ja ka qenë në pushtet.
Sipas tij, deri më tani është bërë punë e madhe për zbatimin e saj, por duhet të punohet edhe në të ardhmen, me qëllim që ajo t'i japë rezultatet e pritura. prioritet janë zbatimi në praktikë i ligjeve, posaçërisht e Ligjit për gjuhët dhe procesi i decentralizimit, si një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes ë Ohrit, përfaqësimi i barabartë i bashkësive të tjera etnike. "Ajo që është me rëndësi për të gjithë ne është mbisundimi i frymës së Marrëveshjes", thekson Ademi.
Profesorët Vllado Popovski dhe Lubomir Fërçkoski të cilët morën pjesë në përgatitjen e Marrëveshjes së Ohrit, gjithashtu, e ndajnë mendimin se ai po zbatohet në vazhdimësi dhe se nuk ka nevojë për ndryshimin e tij.
"Nëse hapet çështja e Marrëveshjes së Ohrit atëherë ai më nuk ekziston. Atëherë mundet për secilën çështje të hapet nga fillimi, nuk e kemi instrumentin themelor të koncensusit me mbështetje ndërkombëtare brenda në shtet dhe atëherë gjithçka është e mundur dhe varemi prej asaj se kush çfarë presioni do të krijojë. Ky është rreziku. Prandaj Marrëveshja e Ohrit nuk duhet të ndryshohet", mendon Fërçkoski.
Për të, ajo që e shënon tetëvjetorin e marrëveshjes është siç thotë, gjendja tejet e çuditshme dhe e dobësuar politike në të cilën ai po zbatohet, për farë fajin më të madh sipas tij, e ka qeveria me qëndrimin jo të sinqertë ndaj tij. Me këtë, shton, i jepet shans ai të sulmohet dhe nga palët tjera, pasi që ka paralajmërime nga disa parti shqiptare të cilat do të solidarizoheshin rreth çështjes së gjuhës.
Lidhur me çështjen për gjuhën është decide se në Marrëveshjen e Ohrit edhe në Kushtetutë kjo pjesë është rregulluar në mënyrë precize dhe se duhet të realizohet përmes Ligjit për gjuhët. Dygjuhësia e tërësishme e dokumenteve, duke përfshirë edhe përdorimin e gjuhës shqipe në komunikimin zyrtar në Qeveri dhe dokumentet është jashtë Marrëveshjes së Ohrit. Sipas tij, ajo që mbetet për t'u realizuar, është që të ndryshohet mënyra e rekrutimit politik të pjesëtarëve të bashkësive të tjera në administratë, e cila rekomandon të zhvillohet me monitorim ndërkombëtar, që t'i shmanget rrezikut nga partizimi i saj i tërësishëm. Kjo ka të bëjë edhe me gjyqësinë, thotë Fërçkoski.
Sipas Popovskit, është e saktë se Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar në tërësi, por se po ndërmerren hapa konkret në këtë drejtim. Në mënyrë intensive po punohet që të arihet përfaqësimi përkatës i shqiptarëve në administratën publike dhe shtetërore, i cili prej vetëm gjashtë për qind në vitin 2001, sot përfaqëson 16 për qind.
Në planin e përdorimit të gjuhëve duhet të sigurohen përkthyes dhe mjete teknike nëpër komunat, që përdorimi këtillë të mos jetë vetëm formal-juridik. Por, shton, kur debatohet për Marrëveshjen e Ohrit, duhet të thuhet se nuk është plotësuar as kushti për kthimin e maqedonasve të shpërngulur në fshatrat e tyre të lindjes.
Sipas tij, propozimi i PDSH-së për marrëveshje të re është legjitim pasi që bëhet fjalë për parti politike, por mendon se ata nuk kanë dhënë argumente pse nuk janë të kënaqur nga marrëveshja ekzistuese. Mendon se nuk ka nevojë për marrëveshje të re, dhe se ka kapacitet për realizimin e tërësishëm dhe prandaj secila thirrje negative është vetëm dredhi e tij e panevojshme.
Albert Musliu, analist politik dhe drejtor ekzekutiv i OJQ-së Asociacioni për Nisma Demokratike (AID), vlerëson se edhe pse Marrëveshja e Ohrit është dokument mbi të cilin duhet të ndërtohet mirëqenia e re ndëretnike, ai shpesh ka qenë rast për tensione politike ndërmjet partive, ndërsa asnjëra nga të dyja kushtimisht të thëna palët, ajo maqedonase dhe shqiptare atë nuk e sheh si instrument për sigurimin e marrëdhënieve të relaksuara ndëretnike. Reagimet më të shpeshta të partive, thotë janë locuar te zbatimi i ligjeve.
"Kjo më shumë shihet edhe nga deklaratat zyrtare të përfaqësuesve të partive politike të bllokut shqiptar dhe varësisht se cila parti është në pushtet, e cila është në opozitë. Megjithatë, më evidente është se reagojnë në zbatimin dhe sjelljen e ligjeve si ai për parlamentin, për përdorimin e gjuhës shqipe, ligjin për vetëqeverisje lokale, ndërsa më shumë reagime për ligjin për gjuhët. Në mënyrë objektive, një pjesë e këtyre ligjeve janë sjellë me procedurë të shpejtuar, ndërsa opozita shqiptare këtë e shfrytëzon si argument dhe i definon si të pakënaqshme dhe do të kërkojë zgjidhje të reja.
Lidhur me kërkesat për ridefinim të Marëveshjes së Ohrit, Musliu konsideron se partitë politike duhet të vetëdijësohen dhe së bashku të sjellin konkludim, se çka do të thotë Marrëveshja e Ohrit për Maqedoninë, meqenëse, siç thotë, ajo nuk mund të jetë produktive, nëse të dyja palët shohin ndryshe ndaj saj.
VMRO-DPMNE-ja në pushtet konsideron se Marrëveshja e Ohrit, implementimin e tërësishëm dhe efikas të së cilës e konsiderojnë si një nga parakushtet për integrim të shpejtë në NATO dhe BE, në pjesën më të madhe është zbatuar me sukses, dhe se me të në mënyrë konsekuente respektohen dhe kultivohen të drejtat e të gjitha minoriteteve në Republikën e Maqedonisë. Implemtimi i deritanishëm i saj pa dyshim ka prodhuar efekte pozitive në ndërtimin e besimit ndëretnik dhe tolerancës edhe në planin e përforcimit të kapaciteteve demokratike të shtetit.
"VMRO-DPMNE, duke i respektuar vlerat, siç janë toleranca, durimi ndëretnik dhe përforcimi i kapaciteteve demokratike të institucioneve të sistemit, fuqimisht beson dhe punon në ardhmërinë evropiane të Republikës së Maqedonisë. Për VMRO-DPMNE-në çelësi për zhvillim ndodhet në përforcimin e besimit midis bashkësive etnike, por më së shumti në ekonominë dhe avancimin dhe prosperitetin e qytetarëve", thuhet në qëndrimin e partisë.
Për LSDM-në, Marrëveshja e Ohrit, e cila përmes amendamenteve është vendosur në Kushtetutë, në tërësi e pasqyron karakterin multietnik, miltikulturor dhe multikonfesional të shoqërisë së Maqedonisë, për çfarë me rëndësi të jashtëzakonshme është implementimi i tij i tërësishëm dhe cilësor në të gjitha segmentet e jetesës shoqërore dhe të shërbejë si përkujtim për të gjithë faktorët politikë në shtet se marrëdhëniet ndëretnike vazhdimisht duhet të kultivohen.
"Çdo qasje tjetër do të lërë hapësirë që sërish të hapen çështje të reja apo do të shkaktojë tentime për rishikim të marrëdhënieve ndëretnike, siç është rast kohëve të fundit në Republikën e Maqedonisë. Sinqerisht besojmë se Qeveria aktuale u bind se vendosja e moratoriumit ndaj çështjeve ndëretnike në vend është aventurë praktikisht është e palejuar. Për Republikën e Maqedonisë ekziston koncept i qartë - implementim i tërësishëm dhe cilësor i Marrëveshjes së Ohrit", konsiderojnë nga LSDM-ja.
Në prag të tetëvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Menduh Thaçi, lideri i PDSH-së, si njëra nga partitë nënshkruese të dokumentit, ndërkaq, doli me qëndrim se ajo është jofunksionale dhe e shkatërruar. Ai paralajmëroi se grupi i tyre i deputetëve nga java e ardhshme do ta bojkotojnë punën e Kuvendit, vendim, i cili, siç thotë, është parandalim i punëve të këqija që mund të ndodhin.
Marrëveshja e Ohrit me të cilën iu dha fund konfliktit disamujor në Republikën e Maqedonisë u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001.
Dokumentin, pas harmonizimit disaditor në Ohër, në Shkup e nënshkruan presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Lubço Georgievski dhe lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski, i PDSH-së, Arben Xhaferi dhe i PPD-së, Imer Imeri. Në cilësi të garantuesve, dokumentin e nënshkruan edhe përfaqësuesit e posaçëm të BE-së dhe të SHBA-së, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju.