Mitrovicë, 12 gusht NOA - Një i ri ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në rrugën Shipol-Bair të Mitrovicës, informon korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA.
Viktima është Bahri Sejdiu, 34 vjeçar, lindur e banor i lagjes Vaganicë të Mitrovicës.
Ai ka humbur jetën aksidentalisht ndërsa udhëtonte me veturë dje pas mesditës në 15.30, në afërsi të urës së Lushtës. Policia e qarkullimit rrugor tha se automjeti i markës "Volksvagen" tip "Golf 3" kishte dalë jashtë rrugës duke u përplasur me mbrojtëset e hekurta të rrugës", kur po qarkullonte nga fshati Shipol në drejtim të fshatit Vaganicë.
"Pak metra para se automjeti t'i afrohej urës së Lushtës, për shkaqe ende të panjohura drejtuesi i automjetit humb kontrollin dhe del jashtë rrugës në anën e djathtë të lëvizjes së automjetit ndërsa me krahun e majtë të automjetit përplaset në mbrojtëset e metalta të rrugës së bashku me të cilat del jashtë rrugës në fushë të hapur", tha Besim Hoti, zyrtar për informim publik i policisë në Mitrovicë.
Drejtuesi i automjetit të aksidentuar, Bahri Sejdiu, banor i lagjes Vaganicë të Mitrovicës, me lëndime të rënda trupore është dërguar në QKUK në Prishtinë.
Por si rezultat i lëndimeve të rënda, ai ka ndërruar jetë pak minuta pas mbërritjes në urgjencën spitalore.
/a.b/e.l/NOA/