English

Presidenti i Kosta Rika-s infektohet nga virusi AH1N1 - "Gripi i derrave"

Tiranë, 12 gusht NOA - Presidenti i Kosta Rika-s, Oscar Arias është infektuar nga virusi i rrezikshëm AH1N1, duke u bërë i pari kryetar shteti që preket nga "Gripi i derrave".

Lajmi është konfirmuar sot zyrtarisht nga presidenca ndërkohë që vetë 68-vjeçari e ka pranuar dhe ka treguar se ai ndjehet mirë dhe nuk paraqitet rrezik për jetën e tij.

"Ndjehem mjaftueshëm mirë përveçse që kam temperaturë dhe dhimbje fyti", ka deklaruar 68-vjeçari Oscar Arias, i njohur gjerësisht si negociator për zhvillimet në Honduras, ku javët e fundit po bën përpjekje intensive për rivendosjen e paqes në atë vend.

Ndërsa ka siguruar: "Do të vazhdoj të bëj punën time në shtëpi ku më detyrojnë mjekët, do të punoj nëpërmjet internetit".

Sakaq mjekët kanë bërë të ditur se të paktën një javë duhet të qëndrojë në regjim strati nën kujdesin e tyre, presidenti 68-vjeçar.

Por mjekët evidentojnë dhe faktin se Arias vuan nga astma kronike. Në Kosta Rika, 20 vetë kanë gjetur vdekjen si pasojë e prekjes nga virusi AH1N1.

Oscar Arias, është fitues i çmimit Nobel për Paqen në vitin 1987. Këto ditë, ai po vazhdonte si gjithmonë përpjekjet për paqe, këtë radhë për Hondurasin.

Arias është impenjuar me këtë vend, pas krizës që goditi Hondurasin pas një grushti shteti që përfshiu vendin në qershor dhe rënies së Presidentit Manuel Zelaya.

/a.k/e.n/NOA/

KOMENTE