Tiranë, 12 gusht NOA - tenton të udhëtojë drejt Gjermanisë me viza false, arrestohet nga policia një 32-vjeçare.
Valbona Kulla nga Pogradeci është arrestuar dje në zonën e Transitit në aeroportin kombëtar "Nënë Tereza".
Arrestimi i saj sipas policisë u krye sepse po tentonte të udhëtonte në drejtim të Gjermanisë, duke përdorur për të udhëtuar pasaportën shqiptare brenda së cilës ndodhej një vizë shengen gjermane e skaduar dhe që dyshohet të jetë e vjedhur e më pas e falsifikuar, pasi kjo vizë nuk lëshohet nga Konsullata Gjermane.
Në ngarkim të saj, janë dërguar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të "Vënies në përdorim të dokumenteve (vizës) së falsifikuar".
Ndërkohë burime nga policia e Tiranës bënë të ditur se pika kufitare e kalimit në Rinas ndodhet në gatishmëri të plotë nga policia dhe vetëm ditën e djeshme mësohet të kenë hyrë 1444 shtetas ndërsa shtetas të huaj 875.
Po dje janë gjobitur në dalje të pikës së kalimit kufitar Rinas, tre shtetas turk me vlerë 10.000 lekë pasi u kishte kaluar afati i qëndrimit në Republikën e Shqipërisë.
k.k/NOA