English

Berisha, mesazh Prishtinës: Dy qeveritë të shërbejnë si dy mundësi dhe jo si pengesa për qytetarët

Tiranë, 13 gusht NOA - Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka lëshuar një mesazh të fortë ndaj Prishtinës dhe Tiranës zyrtare, kur ka deklaruar se "dy qeveritë duhet të shërbejnë si dy mundësi dhe jo si pengesa për qytetarët.

Pohimi u bë dje pasdite kur Berisha priti në një takim Kryetarin e Komisionit për Punët e Brendshme dhe Siguri të Parlamentit të Kosovës, Muharrem Mustafa, i cili shoqërohej nga ambasadori i Kosovës në Tiranë. Mustafa ngushëlloi Kryeministrin Berisha për rënien në krye të detyrës të katër oficerëve të Policisë së Shtetit në luftë me krimin.

Në lidhje me këtë argument, Berisha nga ana e tij vlerësoi se kjo ishte një vdekje heroike dhe se efektivat e policisë u vranë vetëm sepse ata zbatuan ligjin në mënyre të përpiktë.

Kryeministri shtoi se ata ishin oficerë të shkëlqyer dhe më një karrierë brilante në radhët e policisë, dhe se në sajë të aktit të tyre, ajo bandë kriminele nuk është më.

Më tej Berisha bëri një ekspoze të arritjes së Shqipërisë në fushën e rendit dhe sigurisë, por edhe në fusha të tjera dhe vuri theksin në nevojën e hapave konkretë në bashkëpunimin midis dy vendeve tona në të gjitha fushat.

Ndërsa duke folur për lidhjet mes dy vendeve, Kryeministri u shpreh se është jashtëzakonisht e rëndësishme që dy qeveritë të zhdukin çdo lloj ndryshimi midis dy vendeve.

Ai shtoi se ne jemi një komb dhe se duhet të shikojmë njëri-tjetrin si një vend tjetër, por jo një si vend i huaj.

Dy qeveritë duhet të shërbejnë si dy mundësi dhe jo si pengesa për qytetarët vijoi kryeministri duke shtuar se duhet të merren veprime konkrete ne njehsimin e sistemit të doganave, financave, arsimit, etj, në modelin e vendeve të Bashkimit Evropian. Kryeministri konkludoi se kombi duhet të ndjehet një, duke respektuar pavarësinë e Kosovës.

Ai vërejti se progresi i Kosovës gjatë një vit e gjysmë që nga pavarësia është i jashtëzakonshëm dhe se e sheh të ardhmen e saj me një optimizëm të madh, duke vlerësuar po ashtu, se "Kosova po faktohet si faktor stabiliteti".

Në takim, Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri të Parlamentit të Kosovës, Muharrem Mustafa, i kërkoi Kryeministrit ndihmë me ekspertizë në reformën në fushën e rendit dhe sigurisë, kërkesë e cila u mirëprit nga Kryeministri Berisha.

/e.l/e.n/NOA/

KOMENTE