Ndërhyrje në politikën e brendshme? Gazetari e as gazeta nuk e definojnë në mënyrë eksplicite se çka nënkuptojnë ata me politikë të brendshme. Natyrisht nga artikulli lehtë kuptohet se për gazetarin e gazetën politikë e brendshme është thjesht lufta e mjerë e partive politike në Kosovë për një grimë pushtet në vend
Nga Vetëvendosje*
Ballina e gazetës Express sot mbante titullin "Përzihet NË Kosovë", nën fotografinë nga takimi që kryeministri Sali Berisha kishte mbajtur me përfaqësues të LDK-së.
Në brendi të gazetës artikulli e kritikonte, shpesh herë me tone cinike, Berishën për shkak të marrëveshjes së nënshkruar me kryetarin e AAK-së Ramush Haradinajn (marrëveshje kjo e nënshkruar mes Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës), dhe pastaj për takimin me përfaqësuesit e LDK-së, duke i vlerësuar këto si ndërhyrje të Berishës në politikën e brendshme të Kosovës.
Ndërhyrje në politikën e brendshme? Gazetari e as gazeta nuk e definojnë në mënyrë eksplicite se çka nënkuptojnë ata me politikë të brendshme. Natyrisht nga artikulli lehtë kuptohet se për gazetarin e gazetën politikë e brendshme është thjesht lufta e mjerë e partive politike në Kosovë për një grimë pushtet në vend. Por politika është shumë më e gjerë se sa fushëveprimi i pushtetit vendor në Kosovë. Dhe tërë atë hapësirë politike ku institucionet e vendit (diku formalisht dhe diku vetëm realisht) nuk kanë dot pushtet, politikën e brendshme na e bën dikush tjetër.
P.sh. në polici ku fuqi ekzekutive ushtron EULEX-i. Brenda EULEX-it ka policë nga Rumania që përveç që nuk na kanë njohur dhe janë deklaruar se nuk do të na njohin, i kanë vrarë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn pa dhënë kurrë përgjegjësi për këtë. Pastaj ka gjykatës nga Sllovakia, Spanja, Qiproja e Greqia. Asnjë prej tyre nuk na kanë njohur. A nuk janë të drejtat ekzekutive të EULEX-it ndërhyrje të drejtpërdrejta në politikën e brendshme të Kosovës (në shumë vende ministria që e kontrollon policinë quhet pikërisht ministria e punëve të brendshme). Nuk ka pasur madje as një artikull të vetëm kundërshtues nga Expressi për këtë.
Por ka pasur artikuj përkrahës të zjarrtë ndaj EULEX-it dhe artikuj të shumtë në mbrojtje të intervenimit policor të UNMIK-ut më 10 Shkurt. Gazimestanin, të cilin Serbia e ka fituar si zonë eksterritoriale, e i cili është ndërtuar në kohën e Rankoviqit, në vitin 1953, sot e ruajnë ushtarët nga Sllovakia. Sllovakia nuk na ka njohur, dhe madje lobon nëpër botë duke e quajtur Kosovën si shtet jolegjitim. Por Expressi nuk i konsideron ushtarët sllovakë si ndërhyrje në politikën e brendshme.
Nuk ka çështje politike a partiake në të cilën nuk kanë ndërhyrë ambasadorët e pesë vendeve të Quintit në Kosovë. Nuk ka qeveri të Kosovës e cila ka mundur të themelohet pa miratimin paraprak të këtyre ambasadorëve. Kushtetuta e Kosovës është miratuar së pari nga Pieter Feithi, e pastaj nga politikanët e vendit. Pieter Feithi mund ta përjashtojë secilin prej politikanëve të Kosovës nga zyra. Çka janë këto përveç ndërhyrje flagrante në politikën e brendshme të Kosovës. Por Expressi nuk brengoset për to, por i mbron ato (edhe duke mos u brengosur).
Serbia e kontrollon aktualisht afër një të tretën e territorit të Kosovës me strukturat e saj paralele. Kur Lëvizja VETËVENDOSJE! pat kërkuar nga qeveritarët t'i dorëzojnë kallëzimet penale kundër pjesëtarëve të këtyre strukturave të identifikuar me emra e mbiemra, përfshirë ata që vazhdojnë të marrin paga nga institucionet e Kosovës, Expressi patën publikuar një artikull ku temë qendrore ishin dy a tre pjesëtarë të strukturave paralele të cilët tashmë nuk ishin duke marrë paga nga Buxheti i Kosovës. Pra nuk u pengonin strukturat paralele.
Nuk u pengonte fakti se strukturat paralele financoheshin edhe nga institucionet e Kosovës. Por u pengonte nisma e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për zbardhjen e së vërtetës për këto struktura dhe këtë financim. A nuk përzihen strukturat paralele në politikën e brendshme të Kosovës? Përzihen që ç‘ke me të. Përveç tyre dhe (edhe) përmes tyre përzihet Boris Tadiqi e më herët edhe Vojisllav Koshtunica. Këtë të dielë (16 gusht 2009) Qeveria e Serbisë do të mbajë zgjedhje lokale për dy komuna të Kosovës, si përsëritje e atyre të mbajtura më 11 maj të vitit 2008 në tërë territorin e vendit tonë.
Expressit i pengon ndërhyrja e vetëm një shteti - ndërhyrja e Shqipërisë. Pikërisht i vendit që ka më së shumti obligim dhe përgjegjësi për të ndërhyrë meqenëse shqiptarët në Kosovë përbëjnë shumicën absolute të popullsisë dhe se Kosova është vendi ynë. Në vend se të ftohet Shqipëria që të ndërhyjë më shumë pasi që Kosova është çështje e kombit shqiptar, Expressit i mbetet hatri pse kryeministri i Shqipërisë takohet me parti politike të Kosovës.
Dhe atë për çfarë? Për një Marrëveshje Bashkëpunimi. Por Expressit i pengon jo marrëveshja, por pse ajo nuk është nënshkruar me Hashim Thaçin. Se për Expressin barometri i secilit veprim politik është syri i Hashim Thaçit dhe interesit të tij. Ajo çka i pengon syrit të Hashim Thaçit i pengon po ashtu dikujt shumë të fuqishëm brenda Expressit. Çka do që nuk e gëzon Thaçin e hidhëron këtë/a person/a brenda Expressit.
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Prishtinë, 13 gusht 2009
Dërguar nga: Visar Ymeri, aktivist i Lëvizjes VETËVENDOSJE!Lexoni si lindi replika: Mediat e Prishtinës: Berisha po përzihet në punët e brendshme të Kosovës
(*) Shënim: Agjencia e Lajmeve NOA sheh të arsyeshme të publikojë replikën e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi publikoi raportin e "Express", duke krijuar mundësinë e shprehjes së opinionit të lirë, por duke sqaruar se shkrimet, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht, qëndrimin e saj redaksional
Komentoni replikat mes "Vetëvendosje" dhe "Express"