English

Faktori Berisha, në zgjedhjet kosovare

Vetëm për kujtesë, Ibrahim Rugova dikur me një simpati mbarëpopullore në Shqipëri, kur u bë pjesë e politikës së Tiranës, kur vendosi të dilte nëpër mitingje e ta mbështeste hapur Sali Berishën në fillim të viteve '90, shkaktoi zhgënjim dhe madje urrejtje tek gjysma e shqiptarëve që nuk e donin Berishën në pushtet

Nga Armand Shkullaku

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë një tjetër lëvizje ditët e fundit, që e ka vënë atë përsëri në qendër të opinionit publik. Gjithnjë brenda strategjisë për t'u shndërruar në faktorin kryesor politik në vend dhe rivalin e vetëm të Hashim Thaçit, Ramush Haradinaj shkoi në Tiranë ku firmosi një memorandum bashkëpunimi me Partinë Demokratike të Sali Berishës. I servirur si një akt mes partive të të njëjtit spektër, ai provokoi jo vetëm debatin e profilizimit ideologjik të forcave politike në Kosovë, por ringriti çështjen e ndikimit që mund ta ketë Shqipëria në votën e kosovarëve. Nuk ka asnjë dyshim që prapa tekstit standard dhe shterp të memorandumit Berisha- Haradinaj, qëndron lëvizja taktike e Ramush Haradinajt për ta kapitalizuar ndikimin e Sali Berishës tek qytetarët kosovarë. Duke përfituar me shkathtësi nga çorientimi i LDK'së dhe mbetja pezull e Thaçit, Haradinaj bëri hapin e parë në këtë drejtim. Takimi me Berishën dhe zyrtarizimi i bashkëpunimit partiak, në vija të trasha mund të shihet në Kosovë edhe si një lloj mbështetjeje apo preference për AAK. Dhe ky ka qenë pikësynimi i Haradinajt. Kjo nuk është shumë e vështirë për t'u kuptuar. Çështja që ngrihet është se a duhet Tirana, ose më saktë kryeministri Sali Berisha, qoftë edhe në mënyrë indirekte, të përfshihet në ndjeshmëritë politike të Prishtinës. Berisha sot, veçanërisht pas rrugës Durrës-Morinë, ndoshta gëzon reputacionin më të madh që ndonjë lider i Shqipërisë ka patur në Kosovë. Këtë simpati ndaj kryeministrit shqiptar (që lidhet dhe me arsye të tjera, si p.sh., atë krahinore) e kanë si ata kosovarë që votojnë për LDK'në, ashtu edhe ata që votojnë për PDK'në, apo AAK'në. Sali Berisha duhet të jetë koshient për këtë peshë që ka marrë figura e tij dhe duhet ta masë me kujdes çdo lëvizje që ndikon në balancën mes dy vendeve. Ai në Kosovë nuk shihet thjesht si kryetari i Partisë Demokratike, por si lideri kryesor i Shqipërisë. Çdo preferencë e shfaqur, jo vetëm mund të bëjë që ai të humbë, në mënyrë të panevojshme, simpatinë personale tek njëra palë, por edhe të ftohë një pjesë të kosovarëve me Tiranën. Historia përgjatë shumë viteve na ka treguar se sa herë politikanët shqiptarë andej dhe këndej kufirit kanë ndërhyrë reciprokisht në politikën e njërit apo tjetrit grupim politik, kanë prodhuar vetëm telashe. Vetëm për kujtesë, Ibrahim Rugova, dikur me një simpati mbarëpopullore në Shqipëri, kur u bë pjesë e politikës së Tiranës, kur vendosi të dilte nëpër mitingje e të mbështeste hapur Sali Berishën në fillim të viteve '90, shkaktoi zhgënjim dhe madje urrejtje tek gjysma e shqiptarëve që nuk e donin Berishën në pushtet. Nga një simbol i Kosovës, ai u shndërrua në një ingranazh të lojës politike në Shqipëri. Dhe, duke e lidhur imazhin e tij me atë të Kosovës, mijëra shqiptarë të thjeshtë që nuk e mbështesnin Berishën krijuan paragjykime dhe një lloj ftohjeje për vetë kosovarët. Një situatë të ngjashme e ka provuar disa herë edhe vetë Berisha. Jo vetëm në të kaluarën e largët me Partinë e Prosperitetit Demokratik në Tetovë, por edhe në atë të afërt, gjatë luftës në Kosovë, kur i kishte pothuajse të ngrira marrëdhëniet me UÇK'në. Këto qëndrime nuk ndajnë vetëm politikanët, apo forcat politike nga njëra-tjetra. Ato ndikojnë në nxitjen e mosbesimit në marrëdhëniet mes vetë shqiptarëve. Politikanët në Tiranë e Prishtinë duhet ta kenë parasysh se ndërhyrjet e tyre nuk gjykohen vetëm politikisht, por i përfshijnë njerëzit edhe emocionalisht. Përkrahja e njërës forcë ndaj një force tjetër nuk mund të shikohet vetëm mbi baza ideologjike, apo programore, të majta ose të djathta. Edhe për shumë kohë ajo do të përjetohet si ndarje mes shqiptarëve. Për vetë peshën që vazhdon të ketë Shqipëria në Kosovë, liderët në Tiranë duhet të jenë disa herë më shumë të kujdesshëm. Berisha sigurisht që nuk mund ta refuzonte bashkëpunimin me Haradinajn, por duke patur parasysh ndikimin e tij në Kosovë, afrimin e zgjedhjeve lokale dhe marrëdhëniet dikur të vështira me Hashim Thaçin, duhej të kishte gjetur një zgjidhje tjetër për të qenë plotësisht neutral. Ai mund ta takonte Haradinajn dhe memorandumin ta kishin nënshkruar nënkryetarët e partive. Një lëvizje e tillë e plotësonte edhe qëllimin e vizitës së Haradinajt në Tiranë edhe ruante çdo përdorim të mundshëm elektoral të Berishës në Prishtinë. Në Kosovë, ku sapo ka nisur debati i ndarjeve ideologjike të partive, memorandumi PD- AAK më shumë se një bashkëpunim i papritur mes dy partive të djathta, mund të shikohet si një preferencë e Berishës ndaj një grupimi politik. Ndërsa për Haradinajn kjo mund të sillte avantazhe momentale elektorale, për Berishën do të rihapte kapitullin e një historie të vjetër. Mbase për të shmangur pikërisht këtë dhe për të treguar se është i hapur edhe me forcat e tjera politike, kryeministri shqiptar priti dje në Tiranë një delegacion të lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai është shndërruar tashmë në faktor të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Marrë nga "Express", Prishtinë

Komenti opinionin:
KOMENTE