Fidel Kastro nuk është më aq i pranishëm, sa ka qenë dikur në Kubë, pas tri viteve larg vështrimit të opinionit publik, por në momentin kur ai do të mbushë sot 83 vjet, ai ende ka ndikim dhe po punon që Kuba të mbetet komuniste edhe shumë kohë pas vdekjes së tij.
Përkundër faktit së vëllai i tij më i ri, Raul Kastro, 78 vjeç, e ka zëvendësuar atë si president vitin e kaluar, Fidel Kastro vazhdon të jetë një zë i fuqishëm ndërkombëtar për Kubën, nëpërmjet të komenteve të cilat po i shkruan për mediet shtetërore. Roli i tij i brendshëm në qeverinë e Kubës mbetet i paqartë, por supozohet se përderisa vëllai i tij udhëheq punët e përditshme, ai këtë e bën në konsultim me Fidel Kastron. "Mendoj se ende kemi të bëjmë me një partneritet, por Rauli tani është partneri kryesor. Fideli tani nuk është në gjendje të kryesojë punët e përditshme", theksoi Brian Latell nga Instituti i Universitetit të Miamit për studime kubane. Fidel Kastro ka kryesuar revolucionin, me ndihmën e të cilit më 1 janar të vitit 1959 u përmbys nga pushteti diktatori Fulgencio Batista dhe kryesoi vendin për 49 vjet me radhë, para se t'i nënshtrohej ndërhyrjes urgjente kirurgjike në zorrë, në korrik të vitit 2006. Ai përkohësisht ia barti pushtetin Raulit, ndërsa në shkurt të vitit 2008 u tërhoq nga Presidenca për shkaqe shëndetësore, duke i mundësuar të vëllait që të marrë përsipër kryesimin e shtetit. Ai është parë vetëm në videoxhirime dhe në fotografi me burrështetas, të cilët e kanë vizituar atë dhe në ndërkohë e ka marrë përsipër rolin e "ndërgjegjes së komunizmit", me rreth 250 komentet që ka shkruar që nga largimi nga pushteti. Gjatë javëve të kaluara, Kastro ka shkruar në pjesën më të madhe për puçin në Honduras dhe planin e SHBA-së për të shfrytëzuar bazat ushtarake në Kolumbi. Fidel Kastro gjithashtu ka minimizuar edhe rëndësinë e hapave të kujdesshëm, të cilët këtë vit i ka ndërmarrë presidenti i SHBA-së, Barack Obama, me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve me Havanën dhe ka bërë të qartë se Washingtoni nuk duhet të presë koncesione nga Kuba. "Armiku nuk duhet të ushqejë iluzionin se Kuba do të dorëzohet", shkroi Kastro në prill. Obama ka theksuar se nuk do ta shfuqizojë embargon 47-vjeçare ndaj Kubës, për të ushtruar trysni ndaj udhëheqësve kubanë për të përmirësuar të drejtat e njeriut dhe për të garantuar liri politike. Shkrimet e Fidel Kastros dhe komentet e kryetarit të Venezuelës, Hugo Chavez, dëshmojnë se këta dy aleatë socialistë duket se ende bashkëpunojnë ngushtë, duke hartuar strategjinë për të kundërshtuar ndikimin e SHBA-së dhe për të promovuar qeveritë e majta në rajon. Por në Kubë, Raul dhe udhëheqësit e tjerë janë duke zhvilluar betejën kundër krizës më të rëndë ekonomike që nga vitet ‘90, përderisa brengosën për faktin se revolucionarët, të cilët para pesë dekadave transformuan vendin në një shtet komunist, janë duke u moshuar. Roli i Fidelit, thotë Latelli, ka qenë që pamundësojë devijimin e vendit nga shtegu komunist, përderisa po përpiqet që të forcojë ekonominë. "Ai po vizaton dhe po vendos vija në rërë, të cilat Rauli dhe gjeneratat e ardhshme nuk guxojnë t'i kalojnë", theksoi Latell. Por edhe përkundër faktit se Fidel Kastro po vazhdon të luajë politikën në nivelet më të larta, ka shenja se vendi i tij në ndërgjegjen e kubanëve ka filluar të zbehet. Mungesa e tij e gjatë e ka bërë atë një figurë të largët për të rinjtë, të cilët kanë prirje të humbin durimin ndaj qeverisë, e cila nga shumë vlerësohet si ideologjike. "Fideli është inteligjent, por ai nuk po mund të pranojë se ka bërë një gabim, duke i dhënë Kubës një sistem, i cili nuk ka funksionuar kurrë", thotë punëtori 26-vjeçar, Raul Gonzalez. Kubanët më të moshuar kanë një qëndrim më pozitiv. "Fideli na ka dhënë stabilitet. Ndoshta gjërat tani janë pak më ndryshe, por ne nuk përballemi me problemin e drogës, nuk ka nivel të lartë të kriminalitetit si në shtetet e tjera", theksoi Cicero Argent, 63 vjeç.