Prishtinë, 14 Gusht NOA - Një person i kërkuar për të vuajtur dënimin e marrë nga drejtësia kosovare pas përdhunimit të një vajze, është ekstraduar nga Zvicra.
Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA citon zyrtarë të Shërbimit Policor të Kosovës të saktësojnë se mbrëmjen e së Enjtes, i dënuari për marrëdhënie seksuale me dhunë, Arben Piraj është ekstraduar nga Zvicra në Kosovë.
Arben Piraj, 37 vjeç, lindur në fshatin Pozhoran të Komunës së Vitisë, pas ekstradimit në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, tani do të vuajë dënimin prej dy vjet e gjashtë muaj burgim.
Ministria e Drejtësisë, kishte bërë kërkesë ndaj shtetit zviceran për ekstradimin e shtetasit kosovar Arben Piraj.
"I ekstraduari, kërkohej nga Gjykata Komunale në Viti për ekzekutimin e dënimit të dhënë ndaj tij, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në kohëzgjatje prej 2 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale "marrëdhënie seksuale me dhunë", - thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.
Ekstradimi i të dënuarit është realizuar në bashkëpunim të ngushtë në mes të Divizionit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar të Departamentit për Çështje Ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, komponentës për Drejtësi të EULEX-it si dhe autoriteteve zvicerane.
/a.b/e.l/NOA/