English

Kundërshtarët e bashkimit kombëtar (II)

Përderisa politikanët e dëmtojnë çështjen kombëtare përmes veprimeve të tyre, këta të dytët e dëmtojnë atë pikërisht përmes qëndrimit joveprues, domethënë, përmes qëndrimit të tyre tejet pasiv dhe shpeshherë indiferent

Nga Basri Kodra

E theksova në shkrimin e mëparshëm se, në përgjithësi, në jetën shoqërore dhe politike, ka dy kategori të kundërshtarëve të bashkimit kombëtar. Këtu, ndërkaq, do të merrem me kategorinë e dytë. Kush janë, pra, këta shqiptarë, që paraqesin grupin dytësor (jo kryesor) të kundërshtarëve të bashkimit kombëtar?

Për dallim prej të parëve, të cilët mund t'i shquash edhe me emra të përveçëm, si për shembull, Sali Berisha, Hashim Thaçi, Ali Ahmeti, etj, këta rrallë mund t'i gjesh të tillë, ngase janë një kategori e njerëzve, si të thuash, pa farë strukture organizative dhe, shpeshherë, pa qëllime personale politike, që mendojnë dhe shprehen ashtu, krejt në saje të ndikimit të sjelljes se grupit të parë të kundërshtarëve, e sidomos të sjelljes së politikanëve. Profesioni i tyre mund të jetë i çfarëdoshëm, prej atyre që kryejnë punë të rëndomta e deri tek doktorët e shkencave apo arteve të ndryshme. Madje, kam përshtypjen se, sa më të shkolluar që të jenë, aq më kundërshtues do të tregohen.

Edhe kjo kategori kundërshtarësh të çështjes së bashkimit kombëtar, mund të klasifikohet në tre tipa, nëse i marrim si kriter të klasifikimit motivet që i shtynë të jenë të tillë.

Në tipin e parë të këtyre kundërshtarëve hyjnë të gjithë ata të cilët janë të vetëdijshëm se veprimtaria e cila do të çonte drejt bashkimit kombëtar, kërkon punë, angazhim, besa edhe sakrifica, prandaj parapëlqejnë më mirë paqen dhe rehatinë personale duke u shprehur gjithnjë në favor të stabilitetit vendor e rajonal, se sa ndonjë ‘aventurë' të imagjinuar, e cila padyshim jo vetëm që do ta prishte për pak kohë këtë stabilitet por edhe do ta prishte paqen dhe rehatinë e tyre, për ta rregulluar pastaj atë bashkë me stabilitetin aq të dëshiruar vendor e rajonal përgjithmonë. Përfaqësues të kësaj kategorie, gjatë diskutimeve me të tjerë, shpikin lloj-lloj arsyetimesh se si më mirë është kështu siç jemi të ndarë se sa sikur të ishim të bashkuar, ngase kështu të ndarë në dy shtete do të kemi përfaqësi më të fuqishme në institucione ndërkombëtare, etj, etj. Kur flasin kështu, këta jo vetëm që e shpërfillin pjesën e kombit shqiptar që ka mbetur nën sovranitetin maqedonas dhe shqiptarët tjerë andej e këtej kufijve të shteteve fqinje, por njëkohësisht edhe harrojnë se bashkësia ndërkombëtare nuk e ka shpallur Kosovën shtet shqiptar por shumetnik, dhe si e tillë në mekanizmat ndërkombëtare nuk përfaqëson shqiptarët por një shoqëri qytetare shumetnike.

Në tipin e dytë të këtyre kundërshtarëve hyjnë të gjithë ata të cilët mendojnë se bashkimi kombëtar i shqiptarëve është thjesht i pamundur. Zakonisht ata qëndrimin e tyre kundër bashkimit kombëtar e mbështesin në pamundësinë e realizimit të tij. Si argument të shpeshtë dhe pothuaj të vetëm, ata nxjerrin arsyetimin se ‘bashkimin kombëtar të shqiptarëve nuk e lejon bashkësia ndërkombëtare'. Ndërsa vetë formulimin "s'e lejon bashkësia ndërkombëtare" nuk e cilësojnë si cenim lirie a sovraniteti. Sipas tyre, çdo gjë për të cilën bashkësia ndërkombëtare thotë JO, ajo punë do të merr fund përgjithmonë. Këta harrojnë se është pikërisht kjo bashkësi ndërkombëtare e cila pranoi të mos e negocionte fare çështjen e Kosovës në Dejton më 1995, me të cilën Konferencë tentohej t'i jepej fund krizës në ish-Jugosllavi, duke e lënë Kosovën brenda saj, ndërsa tani shumica e shteteve të BE-së veç e kanë njohur pavarësinë e shpallur sipas Planit të Ahtisaar-it.

Ndërsa në tipin e tretë të këtyre kundërshtarëve të bashkimit kombëtar hyjnë të gjithë ata të cilët, gjithnjë nëpër biseda dhe diskutime, shprehen kundër vetëm për shkak se kështu shprehen edhe politikanët të cilëve edhe ua jepnin votën e tyre sa herë që këtë ua kërkojnë. Këta kurrë s'çajnë kokën për arsyetime dhe argumentime të ‘bindjeve' të tyre ngase janë të sigurt se për këto çështje kanë menduar gjerë e gjatë udhëheqësit e tyre. Të gjitha ato fjalë mendime e premtime që u vijnë prej mendjes dhe gojës së politikanit, këta nuk i përpunojnë dot, por vetëm i pranojnë, duke mos ia nënshtruar kurrfarë arsyeje kritike. Në mesin e këtyre njerëzve ka të atillë që aspak nuk janë kundër bashkimit kombëtar. Këta madje janë të mendimit që edhe udhëheqësit e partisë që mbështesin janë gjithnjë në funksion të këtij qëllimi, ndërsa sjelljen e kundërt publike e arsyetojnë duke e cilësuar si taktikë të tyre për t'iu shmangur pengesave që mund t'iu shfaq faktori ndërkombëtar, e të tjera.

Që të tre këta tipa, nuk dallojnë shumë mes vete dhe shpeshherë kanë veçori të përbashkëta, dhe në përgjithësi nuk mund të cilësohen si kundërshtarë të vërtetë të bashkimit kombëtar. Këta, ndërkaq, mund të quhen, kundërshtarë virtualë për shkak se janë të tillë përderisa të tillë janë të parët, kundërshtarët kryesorë - politikanët, analistët dhe gazetarët, prej të cilëve dallojnë aq shumë. Kjo për shkak se, të parët e bëjnë këtë me vetëdije, ndërsa këta të dytët shpeshherë pa vetëdije, domethënë pa qëllime të caktuara, por vetëm ngase janë të mashtruar; të parët e bëjnë për interesa të ngushta, shpeshherë edhe personale, ndërsa të dytët pa kurrfarë interesi; të parët paguhen shtrenjtë për punën që bëjnë, ndërsa të dytët shpeshherë s'paguhen fare; të parët vishen mirë, hanë mirë, jetojnë nëpër shtëpi luksoze dhe udhëtojnë me limuzina luksoze e xhipa me dritare të errëta e të klimatizuar, ndërsa të dytët shpeshherë s'kanë as bukë për të ngrënë. Prandaj këta të dytët mund edhe të quhen të pafajshëm. Të pafajshëm, për shkak se janë pasojë e sjelljes së të parëve - politikanëve, analistëve dhe gazetarëve.

Ndonëse janë të tillë, dëmin që mund t'i shkaktojnë çështjes kombëtare është shumë i madh. Përderisa politikanët e dëmtojnë çështjen kombëtare përmes veprimeve të tyre, këta të dytët e dëmtojnë atë pikërisht përmes qëndrimit joveprues, domethënë, përmes qëndrimit të tyre tejet pasiv dhe shpeshherë indiferent. Për këtë arsye, jo rrallëherë, gjatë diskutimeve të tyre mund t'i dëgjosh shprehjet si: "nuk bëhet ashtu shpejt siç mund të mendoni ju"; "duhet të presim edhe pak se gjithçka do të rregullohen"; s'na pyet neve kush, të tjerët vendosin, ngase ne jemi të pafuqishëm", e sidomos shprehjen e famshme "koha punon për ne", që paraqet kulmin e mashtrimit që dikush mund t'i bëj vetes!

E mira e gjithë kësaj, në fund, qëndron në atë se, që të dy këto kategori, paraqesin një pakicë relativisht të vogël në krahasim me shumicën absolute të kombit shqiptar.

Lexoni këtu, shkrimin pararendës: Kundërshtarët e bashkimit shqiptar

KOMENTE