Arben Xhaferi, nënshkruesi i Marrëveshjes së Ohrit sqaron se nuk është realizuar kjo marrëveshje, edhe përkundër pretendimeve të ndryshme. "Marrëveshja e Ohrit në mënyrë brutale nuk është realizuar sidomos në ato pika kryesore që e bënë këtë marrëveshje të jetë zgjidhje e konfliktit të vitit 2001. Në rend të parë e kam fjalën për përdorimin zyrtarë të gjuhës shqipe pastaj për decentralizimin dhe përfaqësimin adekuat, sidomos në aneksin C, ku flet për rregullimin e statusit të pjesëmarrësve të konfliktit të vitit 2001
Një bashkëpunim NOA/INA
Shqiptarët, dje me rastin e 13 gushtit, tetë vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, janë përballë një dileme të madhe se a është realizuar apo jo tërësisht Marrëveshja e Ohrit dhe fryma e saj. Deklaratat dhe imponimet optimiste duken shumë cinike përballë fakteve dhe realitetit të zymtë të shqiptarëve, pa gjuhë shqipe, pa simbole kombëtare, me injorimin institucional të kësaj marrëveshje nga maqedonasit... Tetë vite pas 13 gushtit të vitit 2001, analizat, raportet dhe vlerësimet e ndryshme flasin se dokumenti që parandaloi konfliktin e asaj kohe nuk ka arritur që të mbyll çështjen shqiptare në Maqedoni. Shqiptarët vazhdojnë të kenë të pazgjidhur në mënyrë të qartë shumë probleme të tyre, që megjithatë ngelën si vazhdimësi e injorimit dhe nëpërkëmbjes së këtij dokumenti të paqes të miratuar tetë vite më parë me një garanci ndërkombëtare. Realiteti lidhur me mospërmbushjen e detyrimeve të Marrëveshjes së Ohrit është alarmuar edhe nga partitë opozitare, kryesisht më e zëshme PDSH-ja, e cila e ka vlerësuar këtë dokument të parealizuar dhe të shkatërruar, mirëpo nga ana tjetër, është ofruar edhe marrëveshja e re e kësaj partie. Janë shumë probleme që janë trashëguar dhe nuk kanë gjetur zgjidhje, ndërsa argumentet rreth mosimplementimit të plotë të këtij dokumenti i japin edhe analistët politik. Nga ana tjetër, BDI ka deklaruar se deri më tani është bërë punë e madhe për zbatimin e saj, por duhet të punohet edhe në të ardhmen me qëllim që ajo t'i japë rezultatet e pritura, njofton agjencia e lajmeve INA. Arben Xhaferi, nënshkruesi i Marrëveshjes së Ohrit sqaron se nuk është realizuar kjo marrëveshje, edhe përkundër pretendimeve të ndryshme. "Marrëveshja e Ohrit në mënyrë brutale nuk është realizuar sidomos në ato pika kryesore që e bënë këtë marrëveshje të jetë zgjidhje e konfliktit të vitit 2001. Në rend të parë e kam fjalën për përdorimin zyrtarë të gjuhës shqipe pastaj për decentralizimin dhe përfaqësimin adekuat, sidomos në aneksin C, ku flet për rregullimin e statusit të pjesëmarrësve të konfliktit të vitit 2001. Të gjitha këto në mënyrë të egër politikisht u shkelën, kështu që PDSH-ja del me një propozim për një kontratë të re, që do të ketë fuqi obliguese për të gjithë ata që ndikojnë në këtë proces", deklaroi Xhaferi, i cili firmosi këtë marrëveshje së bashku me Imer Imerin, kryetarin e PPD-së. Një nga protagonistët e periudhës së arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, Naser Zyberi thekson se kjo marrëveshje si e tillë në distancën prej tetë vitesh e ka humbur peshën dhe rëndësinë e saj që ka pasur dhe kjo shpjegohet me dy shkaqe kryesore. "Implementimi i saj u stërzvarritw tej mase dhe arsyeja tjetër është se u deformua fryma e kësaj marrëveshjeje Kornizë gjatë implementimi si në Kushtetutë edhe në fakte relative. Për kohën kuptohet se ka qenë një akt shumë i rëndësishëm sepse solli ndërprerjen e konfliktit dhe evitimin e një lufte gjithëpërfshirëse qytetare dhe e dyta për herë të parë detyroi faktorët politik maqedonas të pranojnë faktin se shqiptarët janë të diskriminuar në Maqedoni" nënvizoi analisti Zyberi. Sipas tij, kjo marrëveshje tani duket e zbehtë, e deformuar, me shumë vonesa në zbatimin e saj dhe së shpejti do të vijë koha kur kjo Marrëveshje si e tillë do të jetë e pamjaftueshme dhe si kornizë e ngushtë për t'i zgjidhur problemet e shqiptarëve në Maqedoni dhe do të shtrohet nevoja për një Marrëveshje të re më të nevojshme se Marrëveshja e Ohrit. Analisti Nijazi Muhamedi vlerëson se Marrëveshja e Ohrit përveç që nuk është realizuar, ajo teoretikisht dhe politikisht e konsolidon shtetin kombëtar maqedonas edhe ate mbi baza të ideologjisë nacionaliste maqedonase, të cilat kanë për qëllim mohimin dhe shkatërrimin e identitetit shqiptar. "Marrëveshja e Ohrit, e cila edhe në kornizën e saj nuk mbështetet në parimet e një marrëveshjeje, por vetëm në parimin e diktuar ,sipas të cilit, karakteri unitar, gjegjësisht karakteri kombëtar maqedonas i shtetit është i pashkelshëm,është një legjitimim i vendimeve të ASNOM-it për krijimin e shtetit kombëtar maqedonas dhe legjitimim i ri i Kushtetutës së 1991 që e konsolidoi njëanshëm shtetin kombëtar maqedonas, të cilin lëvizja politike e shqiptarëve në Maqedoni një dekadë e kontestoi, gjersa maqedonasit e shpifën këtë përrallë dredhie e quajtur ‘Marrëveshje'e arritur më 13 gusht të vitit 2001 për të kontestuar vullnetin e plotë të popullit shqiptar", ka theksuar analisti Muhamedi. Sipas tij, është turp historik të thuhet se kjo marrëveshje i bën të barabartë shqiptarët me maqedonasit apo është një kompromis mes dy popujve. Cilat janë problemet e pazgjidhura dhe të zvarritura? * Mos zgjidhja e përdorimit të gjuhës shqipe * Mospërdorimi i simboleve kombëtare * Ndarja e dëmshme territoriale dhe decentralizimi i parealizuar * Mosarritja e shkallës së përfaqësimit deri në 25 për qind * Diskriminimi rreth dhënies së shtetësive për afërsisht 50 mijë shqiptarë * Përfaqësimi zero në shumë institucione dhe hierarkinë e lartë vendimmarrëse shtetërore * Anashkalimi i zonave shqiptare për investime * Anashkalimi dhe mos përfaqësimi në organet e larta të sigurisë, shërbimet sekrete dhe njësitet speciale ushtarake, ku nuk ka gati asnjë shqiptarë * Moszgjidhja e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së * Kaosi i shkaktuar në arsimin shqip * Diskriminimi total i shqiptarëve rreth ndarjes së banesave sociale * Percaktimi i Komitetit parlamentar për marrëdhënie ndëretnike Marrëveshjet dhe zgjidhjet pas luftërave në rajon * Kosovë - serbët me rreth 7 për qind. Gjuha serbe është zyrtare në tërë territorin e Kosovës. Ndarja territoriale favorizon komunitetin serb me territore të gjëra. * Bosnjë-Hercegovina - Pas marrëveshjes së Dejtonit krijohet federata e BH-së. Kroatët me 14 për qind, por edhe serbët me 35 për qind. Gjuhët e tyre janë zyrtare. Funksionon Këshilli presidencial me presidentë të zgjedhur me rotacion, boshnjak, serb dhe kroat, me mandate të caktuara * Mali i Zi - Serbët me 32 për qind janë popullsi shtetformuese relevante, duke shfrytëzuar trashëgiminë në këtë shtet dhe duke qenë gjuha e tyre zyrtare, që e flasin edhe malazezët * Lugina e Preshevës - Marrëveshja e Konçulit që ndërpreu luftën e UÇPMB-së me autoritetet serbe në vitin 2000, për më shumë të drejta të shqiptarëve. Nëntë vite pas saj, nuk është realizuar as 20 përqindëshi i saj. Riker dhe Fuere pranojnë se sështë realizuar Dy protagonistët ndërkombëtarë në Shkup, ambasadori amerikan Filip Riker dhe ambasadori evropia, Ervan Fuere kanë pranuar realitetin për mosrealizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Në mesazhet e tyre këtyre ditëve ata kanë bërë thirrje që të mbështetet kjo marrëveshje dhe të realizohen pjesët e saj të mbetura, sidomos me zbatimin e gjuhës shqipe. SHBA-të dhe BE ishin garantues të kësaj marrëveshje që parandaloi konfliktin e vitit 2001.