English

Pasaportat, ministria e Brendshme: Pakt me kompaninë konçesionare për zgjatjen e orareve

Tiranë, 13 gusht NOA - Ministria e Brendshme ka bërë të ditur sot se po vijon rregullisht puna për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike në të gjithë zyrat e aplikimit, në të gjithë territorin e vendit.

"Duke pasur parasysh një rritje të kërkesës për aplikim dhe pajisje me dokumentet e reja të identitetit në këtë periudhë, kryesisht nga nënshtetasit e ardhur për pushime që punojnë e jetojnë jashtë vendit, Ministria e Brendshme i ka kërkuar kompanisë konçesionare "Aleat" që të zgjasë oraret e shërbimit për qytetarët, atje ku fluksi i kërkesave është më i madh, kryesisht në zonat me popullsinë më të madhe" deklaroi sot në një konferencë për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja.

Sipas tij, konçesionari i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Ministrisë së Brendshme dhe duke filluar nga dita e djeshme, datë 12 Gusht, deri në fund të muajit, do të punohet nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 19:30 të mbrëmjes, në zyrat e aplikimit për letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike në:

Tiranë, Kamëz, Bathore, Elbasan, Durrës, Fier, Patos, Lushnje, Shkodër, Lezhë, Vlorë, Berat, Korçë dhe Gjirokastër.

"Me këtë zgjatje të orarit synohet të përballohet pa problem fluksi i kërkesave të qytetarëve gjatë këtij muaji për pajisjen me dokumentet e reja të identitetit.

Ministria e Brendshme u bën thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve që të vijojnë aplikimin për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat e reja biometrike, duke i garantuar se do të krijojë të gjitha lehtësitë e duhura, kurdo që të jetë e nevojshme.

Ministria e Brendshme thekson se ecuria e mirë e procesit të pajisjes së qytetarëve me pasaporta biometrike është njëherësh ecuri shpresëplotë për një regjim të liberalizuar vizash me Bashkimin Evropian" përfundoi Konja.

k.k/NOA

KOMENTE