Tiranë, 13 gusht NOA - Kryetari i Sindikatës së Policisë, Sadetin Fishta ka dalë sot në një konferencë për shtyp ku pasi ka shprehur ngushëllimet për familjet e katër policëve të rënë në krye të detyrës të premten e javës së kaluar gjatë operacionit për kapjen e Dritan Dajtit në Durrës, Fishta ka deklaruar se policia e Shtetit nuk posedon kontrata sigurimi të jetesës së tyre.
Marrim shkas nga ngjarja e ndodhur në Durrës, duke shprehur njëkohësisht edhe një herë ngushëllimet tona për familjet dhe të afërmit e kolegeve tanë që humbën jetën në mënyrë tragjike në krye të detyrës dhe ju premtojmë së Sindikata do të jetë gjithmonë pranë tyre për të zbutur sadopak dhimbjet e tyre.
Gjithë punonjësit e Policisë përkulen me respekt para veprës sublime të tyre duke u angazhuar solemnisht se do të luftojnë pareshtur krimin dhe rritur performancën e tyre profesionale duke reformuar çdo strukturë policore për të qenë të afta në këtë përballje me sa më pak humbje jete' deklaroi sot Fishta.
"Është e pafalshme që punonjësit e policisë së shtetit akoma të punojnë dhe të rriskojnë jetën e tyre pa kontrata sigurimi të jetës së tyre dhe kjo ndodh vetëm në Shqipëri.
Askush nuk është marrë deri tani me këtë problem në një kohë që numri i të rënëve në krye të detyrës arrin në 238 punonjës policie, ku vetëm për këtë vit u regjistruan 6 dëshmorë. E asnjë prej tyre nuk ka përfituar siguracion jete, ndryshe nga shume profesione të tjera në vendin tonë" shtoi më tej Sadetin Fishta.
Fishta theksoi se Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit kërkon nga shteti, vëmendje të veçantë ndaj problemeve që kanë punonjësit e policisë së Shtetit.
k.k/NOA