English

Më shumë se pushim në plazhin e Durrësit

Durrësi i përngjan një bishe pa kokë dhe pa tru. Ata që për disa ditë apo muaj jetojnë në këtë qytet përjetojnë, por dhe krijojnë më shumë stres se pushim. Përjetim që me të vërtetë nuk harrohet. Më shumë se pushim

Nga Milot Hasimja

35 gradë celsius… kisha hapur dritaren e pasme të fugonit, që më shumë i përngjante një diskoteke në katër rrota, që të rrotullonte herë në një anë e herë në anën tjetër thua se nuk ka gravitet mbi tokë. Prapanica më rrinte më shumë lartë në ajër sesa poshtë në ulëse. A jam në bazën e NASA-s apo në rrugë për në Durrës? Gjysma e fugonit po qëndronte larg asfaltit në rrugën me dy korsi që aty për aty u shndërruan në 6. Në ato momente shoferi ndezi radion. Po raportohej për tre të vdekur. Nuk kaluan pesë minuta dhe i pashë ato viktima. Ula kokën, i mbylla sytë dhe u përpiva. Në çdo 50 metra po hyja nën lëkurën e viktimës, duke u përballur me qindra skenarë, derisa shoferi shumë "cool" iu dërgonte çdo të dytit shofer tjetër nga një selam. I shante nënë e babë për gjestet që të tjerët i bënin ndërsa kur koncentrohej në vozitje ai meritonte dënimin e njëjtë si një kriminel ordiner. "Parakalo oreeee. Çar do ore, çar do", bërtiste vozitësi me theks vlonjat, derisa para tij qëndronin policët barkmëdhenj, me jelekë fluoreshent, që dukeshin si fëmijë jetim në gjithë atë mes. Kur mbërritëm në Durrës, zgjedhja për të hapur dritaren doli të ishte fatale. Sikur gjini që del nga llamba e Aladinit ashtu brenda furgonit hyri era e qebapëve. Menjëherë e harrova gjumin, e harrova pushimin dy javor në jug të Shqipërisë e madje edhe atë ndjenjën kur për disa orë, këmbët e mia kapeshin me këmbët e pasagjerit tjetër, jo nga dashuria por nga djersa. Furgoni u ndal në mes të një rruge në Durrës, sepse aty thuhet se është stacioni për t'u nisur për Kosovë. Nuk pashë ndonjë stacion të autobusëve, por rreth 20 autobusë të shpërndarë në disa anë. Durrës - Prishtinë, Durrës Lipjan etj. Mungonte vetëm linja për Magure dhe enigma do të ishte plotësuar. Autobusët ishin të rrethakuar me mbeturina që të përkujtonin krizën e mbeturinave në Napoli. Ka edhe më zi dhe merreni Durrësin si shembull! Gishti i dënimit shkon tek pushtetarët e Durrësit që e kanë lejuar që qyteti i tyre të shndërrohet në një bishë pa kokë, e pa bisht. Bashkëfajtorë të atij krimi turistik janë edhe bashkëqytetarët e mi që për një orë qëndrimi pranë autobusit nuk e ndalnin dorën me hedhje. I pashë edhe në plazh, e njëjta gjë, bile edhe më e shëmtuar. Të skuqur, të entuziazmuar që ishin në deti, qytetarët e Kosovës po ktheheshin me rrëfimet më të bukura nga Durrësi. Sesi janë larë në ujin që herë-herë përzihet me nevojtoret e hoteleve që rrjedhin çurg në plazh, e herë me naftë të tankerëve të mëdhenj pranë portit të Durrësit. Për ata të skuqur nga dielli ja edhe një rimë alla Durrës: ‘Erdhi kremi nga Golemi ua solli Muharremi'. Po në plazh çfarë atraksionesh po ofroheshin. Një foto me arushën, një foto me majmunin. Apo nëse jeni skuqur atëherë ekzistojnë masat mbrojtëse: Krem plazhi, vaj plazhi, letra bixhozi, kos……erdhi akullorja. Në çdo 50 metra ecje në Durrës, përjetova nga një dejavu. Me dhjeta restorante që mbanin emrin Tetova, Kosova, Prizreni, Gostivari, Gjakova etje etj. Erdhi koha për t'u nisur për Kosovë. Ende pa hipur mirë në autobus, u ndez muzika e bashkë me të edhe vaji i fëmijëve. Paralajmërim se duhet ndërruar pelenat. Me të hipur, në TV mu shfaqen disa këngëtarë që nuk i kisha parë kurrë në jetë. Talente të mëdha që rasti nuk iu ka ardhur ende. Për 5 orë rrugë nuk dita se a po qahej a po këndohej, a po vallëzohej apo duhej prerë venat. Kësaj i thonë muzikë. Këta janë pasardhës të tallavasë. Mos keni dert shumë sepse do t'ua dëgjoni zërin në Durrës.

Është e vërtetë ajo që flas. Këtë e dëshmon edhe shpërthimi i gomës së autobusit në 120 kilometra në orë në autorrugën Rrëshen - Kalimash.

Shihemi në Durrësi 2010.

KOMENTE