Gjirokastër, 14 Gusht NOA - Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, doli sot në një prononcim për mediat ku foli mbi situatën e rendit dhe sigurisë në rajonin jugor gjatë këtyre ditëve të pikut turistik.
Ajo tha se masat vijnë në zbatim të detyrave të lëna në Letër Porosinë e ardhur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit "Me qëllim intensifikimin e masave për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë në akset rrugore, qendrat e banuara dhe pikat turistike gjatë zezonit veror 2009 ".
Por policia tha se masat vijnë edhe duke parë fluksin gjithnjë e në rritje të automjeteve që qarkullojnë në akset rrugore që mbulon.
Në këtë kuadër janë dyfishuar patrullat e qarkullimit rrugor të ndihmuara dhe nga policia e rendit në të gjitha akset rrugore Gjirokastër-Ballsh, Gjirokastër-Çarshovë dhe Gjirokastër-Kakavijë, Gjirokastër-Sarandë.
Në të gjitha pikat turistike është shtuar prezenca e uniformave blu, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë për vizitorët dhe turistët.
Edhe në qendrat e banuara prezenca e policisë është dyfishuar për të parandaluar ndonjë ngjarje të mundshme kriminale, por dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë në këto qendra banimi pasi gjatë këtij sezoni kanë ardhur një numër shumë i madh i emigrantëve për pushime të cilët janë banorë të Qarkut Gjirokastër.
Sakaq, sektori i Qarkullimit Rrugor dhe Sektori i Rendit dhe Sigurisë Publike në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë marrë një sërë masash shtesë për të bërë të mundur parandalimin e asindeteve, ardhjes në ndihmë të emigrantëve dhe turistëve si dhe për rritjen e sigurisë në akset rrugore, pikat turistike e qendrat e banuara:
"Në sajë të këtyre masave gjatë sezonit turistik në të gjithë qarkun nuk është shënuar asnjë incident apo ngjarje kriminale me turistët apo vizitorët të cilët kanë vizituar pikat turistike dhe parqet arkeologjike të Qarkut Gjirokastër, megjithëse numri i tyre këtë vit krahasuar me vitin e kaluar është dyfishi i tyre", - tha drejtoria rajonale e policisë.
Kurse raportoi se në drejtim të Qarkullimit rrugor, gjatë 14 ditëve të para të muajit Gusht në të gjithë qarkun nuk është shënuar asnjë aksident me pasojë vdekje.
Sektori i Qarkullimit rrugor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka vendosur gjithsej 1789 masa administrative me vlerë 1.370.300 lekë të reja.
Ka bllokuar 33 automjete të cilat qarkulloni pa dokumentacionin përkatës.
Si dhe kanë hequr 11 leje drejtimi kryesisht për përdorim të pijeve alkoolike dhe drejtim të automjeteve nga fëmijë.
Të ndara sipas Seksione të Qarkullimit të Komisariateve të policisë në vartësi të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kemi si më poshtë:
Seksioni i Qarkullimit rrugor në Komisariatin e Policisë Gjirokastër për periudhën 01.08.2009 deri më datën 13.08.2009, ka vendosur 1147 masa administrative me vlerë 995.800 lekë të reja, kryesisht për shpejtësi tej normave të lejuara, mos vendosje të rripit të sigurimit, parkim të gabuar, etj shkelje të parashikuara në kodin rrugor.
Kanë bllokuar 21 automjete pa dokumentacion përkatës, kanë hequr 8 leje drejtimi kryesisht për përdorim të pijeve alkoolike apo për drejtim të automjetit nga fëmija.
Seksioni i Qarkullimit në Komisariatin e Policisë Tepelenë ka vendosur 540 masa me vlerë 360.500 lekë, ka bllokuar 8 automjete dhe ka hequr 2 leje drejtimi për pije alkoolike.
Seksioni i Qarkullimit në Komisariatin e Policisë Përmet ka vendosur 102 masa administrative me vlerë 15.000 lekë të reja, ka bllokuar 4 automjete dhe ka hequr një leje drejtimi për pije alkoolike.
"Siguria e jetës në rrugë dhe kudo është prioritet i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe në këtë kuadër edhe në ditët në vazhdim do të intensifikohen masat për këtë qëllim", u tha në takimin publik.
Në këtë kuadër Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër tha se kërkon bashkëpunimin e komunitetit, të cilët "nëpërmjet numrave pa pagesë të kompanive celulare që operojnë në vendin tonë, 129 e 126 që janë në dispozicion të Sallës Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër por dhe në Sallat Operative të Komisariateve të Policisë në vartësi të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të denoncojnë çdo rast të shkeljeve të rregullave të Qarkullimit Rrugor që do konstatojnë, të guidimit të automjeteve nga fëmijë dhe adoleshentë pa leje drejtimi, të guidimit të automjeteve nga drejtues të cilët përdorin pije alkoolike, të parkimeve të gabuara, të lëvizjes me shpejtësi në qendrat e banuara, etj.".
/v.d/e.l/NOA/