Prishtinë, 14 gusht NOA - Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka ndërtuar disa ambiente për personat të cilëve nuk ju lejohet hyrja në Kosovë, apo siç quhen ndryshe në gjuhën e aviacionit udhëtarët e papranueshëm (Inadmissible Passengers) - INAD.
Këto ambiente iu dorëzuan sot në mënyrë simbolike Ministrit të Rendit Zenun Pajaziti, i cili më pas ia dha në dorëzim Policisë së Kosovës, në një ceremoni që u organizua sot në mesditë.Â
Ambientet do të shërbejnë për një udhëtarë që i është refuzuar pranimi (hyrja) në shtet, nga autoritetet tona, ose që i është refuzuar transporti i mëtutjeshëm nga autoriteti i shtetit në një pikë të transferimit, p.sh. për shkak të mungesës së vizës, skadimit të pasaportës etj. Si të tillë, udhëtarët e papranueshëm (INAD) të cilëve ju mohohet hyrja në shtet, duhet të kthehen sa më shpejt që është e mundur në pikën prej nga kanë ardhur, çoftë me të njëjtin fluturim që kanë ardhur apo me fluturimin e parë të mundshëm për destinacionin prej nga ai udhëtarë është transportuar.
Valentina Gara, zyrtare e Aeroportit, tha sot për agjencinë e lajmeve NOA, se duke u bazuar në Aneksin 9-të të ICAO-s dhe Paktit Ndërkombëtar të UN-it mbi të drejtat civile dhe politike, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka ndërtuar infrastrukturën për përcjelljen e këtyre udhëtarëve.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka modifikuar një pjesë të terminalit të arritjes me qëllim të akomodimit të udhëtarëve të papranueshëm të cilët nuk mund të kthehen në aeroportin e origjinës me fluturimin e njëjtë me të cilin kanë ardhur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion për procesimin e aeroplanit në tokë (mesatarisht 40 minuta) mund të ndodhë që personat e papranueshëm të mos kthehen me të njëjtin aeroplan.
Pasi që Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës nuk ka fluks të madh të fluturimeve për një destinacion gjatë një dite, një udhëtari të papranueshëm mund ti duhet të kalojë mbi 24 orë në aeroport deri në fluturimin tjetër për atë destinacion.
Me qëllim të trajtimit njerëzor të këtyre udhëtarëve dhe masave të sigurisë (për të eliminuar mundësinë e largimit të tyre nga terminali) ka qenë e domosdoshme që të ndërtohet një infrastrukturë e tillë.
/a.b/e.l/NOA/