Duket se politikanët tanë e kanë gjetur formulën se si të zgjidhin çfarëdo situate ose ndodhie që mund të evoluojë në problem për ta, pra, në përgjegjësi dhe llogaridhënie. Për politikanët tanë duket se ikja më e mirë nga moszgjidhja e një problemi është krijimi i një problemi tjetër. Pra, problemi i ri mbulohet nga problemi i vjetër. Dhe kështu vazhdohet deri në pafundësi
Nga Skënder Limani*
Raportet e auditimit për vitin 2008 po tregojnë se edhe kjo Qeveri nuk është asgjë tjetër sesa vazhdim i sistemit të qeverisjeve të qeverive të kaluara. Por, ajo çfarë po e dallon këtë Qeveri nga qeveritë e tjera është se kjo Qeveri po i merr raportet e auditimit dhe po del me to në televizor për t'u mburrur. Sido që të jetë, duket se një gjë dihet: nuk do të ketë as përgjegjësi e as llogaridhënie për rezultatet e raporteve të auditimit. Përkundrazi, ka gjasë që ministrat e kësaj Qeverie të shpërblehen për shkak të atyre raporteve. Sikurse ata të PTK-së. Dua të them, nga raporte e situata që do të duhej të ishin të turpshme për secilin prej nesh, qeverisja po i paraqet ato si normale. Por, nëse asgjë tjetër, kjo Qeveri nuk mund ta mbulojë aromën qelbëse përplot keqpërdorime të taksave të qytetarëve të Republikës së Kosovës edhe në vitin 2008. Tashti, a janë bërë politikanët tanë sikurse pelenat që duhet të ndërrohen sa herë t'u vije era? Ndoshta. Ose, ndoshta së paku dikush mund t'u ndihmojë të marrin tahret.  Duket se politikanët tanë e kanë gjetur formulën se si të zgjidhin çfarëdo situate ose ndodhie që mund të evoluojë në problem për ta, pra, në përgjegjësi dhe llogaridhënie. Për politikanët tanë duket se ikja më e mirë nga moszgjidhja e një problemi është krijimi i një problemi tjetër. Pra, problemi i ri mbulohet nga problemi i vjetër. Dhe kështu vazhdohet deri në pafundësi.
Tashti, a është kjo praktikë pune e huazuar nga jashtë apo është shpikje e politikanëve vendorë (pa dallim se nga cila parti vijnë), kjo mbetet për t'u diskutuar e zbuluar. Por, në këndvështrimin qytetar, kjo nuk ka edhe aq rëndësi. Me rëndësi për qytetarët është që problemet lërë më që nuk po zgjidhen, por ato po shkojnë duke u grumbulluar, duke u bërë palë-palë dhe duke pëlcitur. Â Â
Në këtë kuadër, moszgjidhja e problemeve zgjon dyshime të shumta. A janë politikanët tanë të aftë të trajtojnë dhe të zgjidhin probleme, mos qytetarët kanë zgjedhur njerëzit e gabuar që të trajtojnë e zgjidhin probleme? Ose, mos politikanët tanë janë fort të korruptuar andaj trajtimi dhe zgjidhja e problemeve nënkupton ndalimin e burimeve financiare për ta, ose thjeshtë, politikanët tanë janë të paaftë të trajtojnë dhe të zgjidhin problemet? Ose, asnjëra nga të lartpërmendurat?
Kështu, politikanët vendorë (si në pozitë, si në opozitë) dalin të jenë nxënës dhe përdorues të mirë të shkollës diplomatike e cila, edhe një herë, thotë "problemin zgjidhe me problem". Në këtë kuadër, politikanët tanë përdorin dy burime: ata përzgjedhin njerëz të korruptuar dhe i vendosin rreth tyre për të qeverisur, dhe mediet.
E para, politikanët tanë, në grupin e tyre për qeverisje, duket se kanë përzgjedhur njerëz që janë lehtë të komprometuar edhe në aspektin moral edhe kriminal (këshilltarë, ministra, ambasadorë, etj). Këtë e bëjnë në mënyrë që t'i kontrollojnë ata më lehtë. Ndërsa e dyta, mediet i shfrytëzojnë për të mbuluar politikat e tyre qeverisëse sidomos kur ato janë të dëmshme për qytetarët (p.sh, raportet e auditimit 2008). Kështu, çdo gjë del të jetë në rregull përderisa politikanët tanë dhe politikat e tyre duken mirë në media.
Dua të them, vetëm shikojeni kronologjinë e ndodhive. Nëse na publikohet një problem në mëngjes, deri në mesditë ai do të vjetrohet, ndërsa deri në mbrëmje do të harrohet krejt. Ndërsa e nesërmja do të sjell diçka krejt tjetër. Ose, mund të jetë edhe ndryshe. Grumbullimi i problemeve të pazgjidhura mundëson që ato të pëlcasin në momente të caktuara kohore dhe politike. Këtu nuk dua të flas për mungesën e gazetarisë përcjellëse sepse del temë në vete.
Sido që të jetë, vetëm shikojeni javën që e lamë pas. Për të satën herë kemi pëlcitjen e problemit të quajtur "Radio televizioni i Kosovës, RTK" dhe përsëri mbetet i pazgjidhur. Kështu, ky problem do të pëlcasë përsëri por varet nga koha dhe nga momenti politik. Tjetër. Lajmi për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga BE-ja ishte lajm i pritur edhe nga politikanët edhe nga qytetarët sepse problemet paraprake të grumbulluara që u ndërlidhen me këtë çështje nuk u zgjidhën. Së fundi, kemi raportet e auditimit për vitin 2008. Ndërkohë, ç'u bë me njëfarë projekti energjetik të quajtur "Kosova e Re"? U harrua, apo jo?
Në anën tjetër, ajo çfarë bëjnë politikanët tanë në vazhdimësi është ofrimi i premtimeve për rritjen e rrogave, për ujë, për rrugë, për punësim dhe të tjera të ngjashme, pra, premtime për mirëqenie të përgjithshme qytetare me moton "do të bëhet mirë". Kështu, politikanët i trajtojnë qytetarët e Kosovës ose si konsumatorë ose si raste sociale, varësisht nga nevoja e tyre e komunikimit publik. Ky trajtim tashti zgjon edhe një temë tjetër, për mua mjaft legjitime: a e njeh Qeveria e Republikës së Kosovës (por edhe Kuvendi dhe Presidenca, bashkë me secilin institucion publik sikurse që është PTK-ja, Aeroporti i Prishtinës dhe RTK-ja) pavarësinë dhe shtetin e Kosovës përtej deklarimit monoton? Â Â Â
Dua të them, ka mundësi që në këtë vend gjërat (dikur) të bëhen mirë, por jo për qytetarët e Kosovës të cilët në atdheun e tyre po trajtohen herë si konsumatorë, herë si raste sociale e herë si burime financiare (taksapagues) për keqpërdorime. Pra, mund të jetë edhe kjo: problemet po zgjidhen, por për kënd dhe kush po përfiton nga to?
(*) Pikëpamjet e shprehura nga autori, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht, qëndrimin redaksional të agjencisë së lajmeve NOA
Komenti dhe ju këtë opinion: