Vlorë, 14 Gusht NOA - Pronarët autoktonë të bregdetit kundërshtojnë propozimin e kryeministrit Berisha për hartimin e ligjit për shitjen e trojeve turistike "borgjezëve të rinj".
Kryetari i Shoqatës "Bregdeti", Niko Nesturi dhe drejtuesi tjetër, Prof. Dr. Aleks Vranai, në një letër të hapur që dërguan sot në agjencinë e lajmeve NOA, duke kërkuar publikimin e saj, sqarojnë dhe shkaqet që e çojnë këtë shoqatë të shprehet kundër nismës kryeministrore.
Sipas "Bregdetit", projektligji i propozuar nga Kryeministri për shitjen e trojeve bregdetare, bën që përfitues të dalin persona që i kanë pushtuar dhe ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.
"Është e papranueshme që ne si Shoqatë e Bregdetit që jemi pala e dëmtuar dhe e interesuar për zgjidhjen e problemit, deri sot nuk jemi përfillur fare në procesin e hartimit të ligjeve", pohon shoqata duke ftuar kryeministrin, "që ju vetë të anuloni këtë propozim me pasoja kaq antikombëtare".
Por shoqata paralajmëron gjithashtu se vënia në zbatim e këtij ligji, i hap rrugën vetëgjyqësisë, vëllavrasjes dhe konflikteve pa fund, çka sipas saj, në aspektin social do të ishte e ngjashme me "trekëndëshin e Bermudës" .
"Apelojmë Qeverinë, Kuvendin e Shqipërisë dhe Presidentin shoqërinë civile dhe gjithë opinionin e shëndoshë demokratik, të ndërhyjnë për ta bllokuar këtë ligj shumë më të keq se ligji 7501, jo me arsyetimet se ai shkel interesat e pronarëve por sepse ai përdhos të drejtën e pronësisë dhe të drejtat e njeriut, nenin 181 të Kushtetutës në fuqi, mbron grabitjen dhe mafien e trojeve turistike, i hap rrugën vetëgjyqësisë, vëllavrasjes dhe konflikteve pa fund, çka në aspektin social do të jetë i ngjashëm me "trekëndëshin e Bermudës" .
Sakaq, shoqata kërkon edhe organizimin e diskutimit në media, për "këtë shkelje konstante të të drejtës së pronës së trashëguar".
Më poshtë, vijon letra e plotë:
Shoqata "Bregdeti" e kundërshton propozimin e Kryeministrit Sali Berisha, dt 12.8.2009, për ndërhyrjen e shtetit për shitjen me çmimin e tregut të trojeve personave që kanë pushtuar troje dhe kanë ndërtuar pa leje në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, që zoti Berisha i emërtoi "Borgjezët e rinj". Ky është banditizëm i pastër shtetëror, që shpreh një thellim të qëndrimit antipronar të tranzicionit. Kjo është shprehje e zbatimit të spirales së Katovicës për kalimin nga monizmi komunist në kapitalizëm, duke përvetësuar pasuritë shtetërore dhe pronat tona të trashëguara, në interes të klasës së re politike. Sipas kësaj platforme që klasa politike shqiptare zbatoi pas shembjes së komunizmit, formalisht në fillim komunistët do ta lëshonin pushtetin politik pastaj do të ricikloheshin përsëri në politikë si "borgjezë të rinj". Këtë e ka sqaruar qartë, faksi i ardhur nga SHBA. i botuar me 17 Gusht 2000 në gazetën "Balli i Kombit" dhe në shumë gazeta të tjera, me titull "Ramiz Alia dhe demokracia e jonë". Për ne si qytetarë ishte i bërë i ditur plani i Gorbaçovit në Katovicë të Polonisë dhe mendohej se ai, do t'ia kish transmetuar edhe Ramiz Alisë, por zyrtarisht nuk dihej zbatueshmëria e këtyre "këshillave" të Moskës që në tetor 1989, Ramiz Alia ju ka transmetuar të pranishmëve në Byronë Politike. Konkretisht njoftimi sqaron:
 "Sistemi ynë ka kapitulluar përballë atij Kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji në dy drejtime:
Në respektimin e të drejtave të njeriut; dhe
2. Në krijimin e pluralizmit politik.
 Të drejtat e njeriut janë diçka brenda nesh dhe mund të abuzohet me to deri diku, por pluralizmi do të bëhet se s'bën! Do te nxisim të krijohen parti sa të duan, të majta, të djathta dhe të qendrës. Por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e të drejtohen nga ne; programet e themelimit të këtyre partive do t'i formulojmë ne. Në krye të tyre duhet të nxirren njerëz që të përkrahin strategjinë tonë. Partia që do të marrë pushtetin do ta shajë komunizmin në themel e në çati. Në këtë mënyrë do të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të disidencës antikomuniste. Ata që janë në burgje, të dënuarit dhe të persekutuarit politikë do të thonë për ne: "Edhe këta e urrejnë komunizmin". Do të afrohen dhe do të na përkrahin. Ne na intereson karta morale e tyre. Do t'i afrojmë dhe do t'u japim punë të parëndësishme, por nuk do t'i lëmë kurrë të marrin pushtetin... Në zbatim të të drejtave të njeriut duhet që t'u japim edhe kompensim në para të burgosurve dhe te sekuestruarve e të shpronësuarve t'u kompletojmë komoditete banimi. Do t'u japim nga një letër në dorë që u njihet prona, por këtë (pronën), nuk do t'ua japim asnjëherë. Do t'i ngatërrojmë në forma të ndryshme njeri me tjetrin që të kalojnë në gjykatë, ku do të zbatohet rotacioni: nga gjykata e shkallës së parë në të dytën dhe, për shkak defektesh teknike, kthim për rigjykim në shkallën e parë. Këta janë të moshuar dhe fuqi nuk kanë. Duhet të kemi kujdes nga fëmijët e tyre. Por edhe këtyre, duke u dhënë një pasaportë dhe me pak presion i largojmë jashtë. Ata që do të pretendojnë dhe do të këmbëngulin do të lëndohen ! Pasuria e tëra na përket ne, se ne e bëmë. … Një shqetësim mund të na krijojnë intelektualët pensionistë. Këtyre do t'u ofrojmë krijimin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës e të Punës dhe do t'u japim një mini pension, duke u mbajtur ison. … Çdo gjë ne e kemi programuar, strategjinë e kini të gjithë të qartë dhe kemi caktuar rrugët për qëllimin e misionit tonë. … Nën një propagandë ekstreme kundër komunizmit dhe me disa ndëshkime të vogla të nomenklaturës së lartë komuniste ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë …Me këtë strategji brenda dy a tre legjislaturave do të kemi ish klasën komuniste të shndërruar në klasë kapitaliste !". Dhe praktikisht kështu është vepruar
Nga sa sipër del qartë arsyeja dhe qëllimi pse ish-presidenti Ramiz Alia, futi në qarkullim termin ish-pronarët dhe politikanët e mëvonshëm nuk e kanë zëvendësuar atë me termin e duhur Pronarët. Po ashtu kuptohet dhe propozimi i Kryeministrit Berisha, për hartimin e këtij ligji që mbyll spiralen për mos kthimin e pronave. Kjo që propozoi Kryeministri Berisha është një thikë pas shpine për popullin e Bregdetit, është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, shkelje e detyrimeve kushtetuese, shkelje e kërkesave Këshillit të Evropës dhe e legjislacionit në fuqi. Historikisht kjo tejkalon çdo tradhti ndaj popullit shqiptar dhe mund të krahasohet me pabesinë e bërë nga konsulli Romak Pal Emili.
Apelojmë vetë Kryeministrin të reflektojë dhe të deklarojë urgjentisht për anullimin e këtij propozimi që bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligjet tashmë të miratuara. Nëse pushteti do të zbatojë ligjin 8053 dhe ligjin 9948 dt 7.7.2008 "Për rishqyrtimin e vlefshmërisë së titujve të pronësisë", pronat në zonën turistike duhet të ishin kthyer në pronësi trashëgimtarëve të pronarëve të cilëve ju është marrë padrejtësisht nga diktatura.
Në kundërshtim me çdo të drejtë morale, kushtetuese dhe ligjore, këto prona gjatë gjithë periudhës së tranzicionit kanë prodhuar para për shkelësit e ligjit që janë politikanët e kamufluar me persona të tretë, që i përkasin mafies së trojeve turistike. Edhe sot në Bregdet vazhdojnë ndërtimet pa leje dhe nga kryeministri na del propozimi që pushtuesit do të paguajnë me çmimin e tregut. Kjo është absolutisht e padrejtë. Kryeministri, Qeveria apo politikanët nuk kanë asnjë të drejtë të propozojnë ligje dhe të na detyrojnë të shesim trojet tona dhe t'u vënë çmim pronave tona. Po nëse pas përmbysjes së diktaturës, ne njerëzit e qytetëruar të Bregdetit, do të kishim marrë vetë trojet tona, pa pritur për ligjin, si do fliste sot zoti Berisha. Mjafton të themi se fjetja për një natë në hotelet e ngritura pa leje në bregdet paguhet 20-70 euro dhe fitimi, vetëm për hotelerinë, pa llogaritur të tjerat (bari ose restoranti), janë dhjetëra herë më të mëdha se vlera zyrtare që deklarohet si çmim i tregut. Shkelësit e ligjit, faktikisht janë pjesa e maskuar e politikanëve. Është fakt se gjatë gjithë kohës së tranzicionit e ashtuquajtura "Policia Ndërtimore" ka shembur vetëm ndërtimet pa leje që kanë bërë pronarët autoktonë. Nuk ka nevojë për koment rasti i kryetarit të ndershëm të Policisë Ndërtimore z. Mitat Havari, që kishte marrë urdhër nga Kryeministri dhe drejtonte veprimet për shembjen e ndërtimeve pa leje në Bregdet, që u pushua nga puna, me urdhër të dhënë në celular, menjëherë porsa fadromat ju afruan ndërtimit pa leje të një politikani të krahut të majtë. Fitimet e derisotme të mafies, që në këto vite kanë pushtuar dhe po shfrytëzojnë në mënyrë të paligjshme trojet tona, janë shumë të mëdha dhe ata janë gjithmonë shumë të gatshëm të na paguajnë një përqindje të vogël të këtyre fitimeve për të na blerë këto troje. Problemi nuk qëndron tek paratë por tek parimet e së drejtës dhe të shtetit ligjor, tek shkelja flagrante e të drejtës së pronësisë, tek aspekti antiligjor dhe amoral i propozimit të Kryeministrit. Asnjë propozim, apo vendim qeverie nuk duhet të marri jetë kur bie ndesh me ligjin. Asnjë ligj nuk duhet të zbatohet kur bie ndesh me Kushtetutën (neni 181 i saj). Prona e trashëguar përfaqëson atdheun dhe dinjitetin e familjes tonë, të cilin politika po e dhunon prej 18 vjetësh. Ju, z. Berisha, në kundërshtim me çdo standard demokratik dhe moral, por vetëm nga qenia në pushtet, po abuzoni dhe shkelni mbi të drejtat tona dhe mbi dinjitetin e çdo bregdetasi. Ju nuk keni marrë parasysh asgjë nga kërkesat tona të panumërta dhe memorandumet e tre Kuvendeve Mbarëbregdetare për pronën që ju kemi drejtuar. Ne prisnim që tani, ju të angazhoheshit për të zbatuar ligjin 9948 dhe 8053, por me mentalitetin tuaj antipronar, që pasqyroni me propozimin e fundit ju po na fusni në belara të reja dhe në vëllavrasje. Kthimi i pronës tek i zoti është detyrim i pushtetit përndryshe fjala demokraci kthehet në mashtrim. Kërkesa juaj për nxjerrjen e një ligji që bie ndesh me ligjet e tjera dhe me Kushtetutën (neni 181) thellon anarkinë e pronës. Kjo situatë duhet të mënjanohet në mënyrë që pronarët autoktonë ose borgjezia origjinale të mos jenë të detyruar të çlirojnë pronat e tyre të pushtuara nga "pseudoborgjezia e re". Raportet midis pronarit origjinal të truallit dhe atij që ka pushtuar dhe ndërtuar pa leje rregullohen midis palëve në zbatim të ligjeve në fuqi, të Kushtetutës dhe të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, zbatimi i të cilave ka supremaci edhe mbi Kushtetutën (Neni 122/2). Pronarët autoktonë do t'i paguajnë shpenzimet e bëra nga pseudo borgjezët e rinj. Bregdetasit nuk do pranojnë kurrë këtë situatë anormale që ju propozoni. Ata nuk duan të punojnë portierë apo kamerierë në restorantet që janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme në tokat e tyre, se kështu i intereson klaneve të mafies së trojeve turistike.
Është e papranueshme se ne si Shoqatë e Bregdetit që jemi pala e dëmtuar dhe e interesuar për zgjidhjen e problemit, deri sot nuk jemi përfillur fare në procesin e hartimit të ligjeve. Ju ftojmë zoti kryeministër, që ju vetë të anuloni këtë propozim me pasoja kaq antikombëtare.
Apelojmë Qeverinë, Kuvendin e Shqipërisë dhe Presidentin shoqërinë civile dhe gjithë opinionin e shëndoshë demokratik, të ndërhyjnë për ta bllokuar këtë ligj shumë më të keq se ligji 7501, jo me arsyetimet se ai shkel interesat e pronarëve por sepse ai përdhos të drejtën e pronësisë dhe të drejtat e njeriut, nenin 181 të Kushtetutës në fuqi, mbron grabitjen dhe mafien e trojeve turistike, i hap rrugën vetëgjyqësisë, vëllavrasjes dhe konflikteve pa fund, çka në aspektin social do të jetë i ngjashëm me "trekëndëshin e Bermudës" .
Kryesia e Shoqatës "Bregdeti"