Durrës, 14 gusht NOA - Krim i rëndë brenda familjes ka ndodhur në qytetin e Durrësit, pasi një burrë ka sulmuar të shoqen me synimin për ta vrarë dhe i hasur në pengesa, ka plagosur edhe të bijën.
Korrespondentja e agjencisë së lajmeve NOA informon se ngjarja ka ndodhur në orën 03.45 të ditës së sotme në lagjen nr 3 të qytetit bregdetar.
Sotiraq Kurila, lindur dhe banues në lagjen Nr 3 Durrës, gjendej në banesën e tij në orën 03.45 të mëngjesit, kur në rrethana ende të paqarta, sipas policisë, për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me thikë bashkëshorten 46-vjeçare Aleksandra Kurila.
Por gjatë konfliktit, në momentet kur Sotiraqi po përpiqej t'i merrte jetën të shoqes, skena është parë nga e bija 15-vjeçare, Kristina Kurila.
E tmerruar nga pamja dhe duke sjellë ndër mend faktin se dhunohej shpesh nga i ati, adoleshentja është sulur të mbrojë të ëmën.
Por afrimi i saj ishte dramatik sepse i ati nuk e kurseu as atë, duke e masakruar me thikë në trup, ndërsa vajza përpiqej të mbronte të ëmën nga një vdekje e mundshme.
Në këtë ngjarje, nënën e bijë mbetën të plagosura rëndë si pasojë e goditjeve të pakursyera me thikë që morën nga Sotiraq Kurila.
Por edhe ky i fundit, nuk ka dalë "pa gjë". Në konflikt e sipër, Sotiraqi është plagosur në kokë, kur është goditur me një mjet të fortë, mesa duket nga e bija, në kushtet e vetëmbrojtjes.
Që të tre, u dërguan në spitalin rajonal të Durrësit ku po i nënshtrohen ndërhyrjes mjekësore, por burri dhe babai i dhunshëm, po mbahet nën mbikëqyrje policore.
/v.m/e.l/NOA/