English

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë: Mediat janë zhytur në informalitet, nuk marrin as pagat

Tiranë, 14 Gusht NOA Update - Unioni i Gazetarëve Shqiptarë doli sot me një qëndrim mbi informalitetin në media, duke lëshuar alarmin edhe për faktin se mbi gjysma e mediave nuk japin as pagat që prej gjashtë muajsh.

Aleksandër Çipa, drejtor i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, tha sot për agjencinë e lajmeve NOA, se shoqata synon të tërheqë vëmendjen për gjendjen reale, social-ekonomike të shumicës së komunitetit të gazetarëve që punojnë në tregun mediatik shqiptar. Unioni i Gazetarëve kërkon që qeveria dhe parlamenti i ri të rendisin në krye të punës së tyre, reformën kundër informalitetit në mediat shqiptare, - deklaroi z.Çipa.

"Rreth 60 për qind e mediave të këtij tregu, gjatë 6 muajve të fundit u janë rikthyer mungesës së korrektesës për pagat mujore të gazetarëve, paga që vonojnë nga 10 ditë në 2 dhe 3 muaj", ka evidentuar z.Çipa.

Ai iu referua të dhënave që disponon Unioni, kur tha se rezulton që "nga 24 gazeta të përditshme, 16 prej tyre në mënyrë të përhershme nuk respektojnë datat e dhënies së pagave të gazetarëve.

Gjithashtu, pagesat për sigurimet e tyre shoqërore janë të padepozituara si kontribut pranë tatimeve dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Unioni evidenton edhe se "rekrutimet dhe largimet nga puna nuk pasqyrohen në dokumentacionin e administratës së redaksive dhe rreth 25 për qind e reporterëve të këtyre gazetave janë studentë që përdoren si elementë presioni ndaj komunitetit të reporterëve profesionistë". Në këtë kuadër, Çipa i bëri një thirrje në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Inspektoriatit Shtetëror të Punës, autoritetit fiskal të Tatim Taksave dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore që "të verifikojnë të gjitha rastet e informalitetit në tregun mediatik në Shqipëri".

Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë ka lëshuar dhe një ofertë publike ndaj enteve rregullatore, shoqatave të tjera të gazetarëve dhe në veçanti të gjithë komunitetit profesional të gazetarëve, që të hedhin hapin konkret për institucionalizimin e Urdhrit të Gazetarëve.

"Unioni i Gazetarëve u drejtohet institucioneve ndërkombëtare, ambasadorit të BE-së në Tiranë, ambasadorit të OSBE-së në Tiranë dhe kontributorëve të tjerë për mbarëvajtjen juridike në Shqipëri, të bëhen mbështetës efektivë të nismës për mbylljen e këtij realiteti të zi dhe prapambetës, sidomos në fushën e legjislacionit dhe legalitetit partnerial në media", - tha z. Çipa.

Këtu, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i bën thirrje qeverisë dhe i adresohet parlamentit të ri, të shpallur pas zgjedhjeve të 28 qershorit, që të rendisin në krye të punës reformën kundër informalitetit në mediat shqiptare.

Çipa ka paralajmëruar edhe se një tubim sensibilizues do të mbahet menjëherë sapo të çelet sesioni i ri parlamentar.

/e.n/k.k/NOA/

KOMENTE